Ndërlidhjet

Kriza politike pengon jetësimin e Strategjisë Zhvillimore


Ilustrim
Ilustrim

Ekspertët e çështjeve ekonomike vënë në dyshim zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016 - 2021, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë.

Ata thonë se kriza politike që po përcjell Kosovën tani e sa muaj, pamundëson jetësimin e kësaj strategjie.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se jostabiliteti politik, po i pengon në vazhdimësi çështjet ekonomike dhe rrjedhimisht do ta pengojë edhe zbatimin e strategjisë zhvillimore.

“Strategjia zhvillimore e Qeverisë së Kosovës është e pamundur të jetësohet me një klimë aktuale politike që po mbretëron në Kosovë. Kjo për arsye se me një Parlament jofunksional dhe me një polarizim të skenës politike në Kosovë, është gati e pamundur që të bëhet një prioritizim i çështjeve ekonomike dhe zhvillimore, në raport me ngjarjet politike, të cilat po ndodhin në Kosovë”, thotë Gashi.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë 25 gushti i vitit të kaluar, në Bruksel, tri partitë opozitare në Kosovë jo vetëm që kanë bojkotuar, por edhe kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Këtë gjë e kanë bërë në shenjë kundërshtimi e proteste ndaj nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e më pas edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në shenjë pakënaqësie ndaj këtyre marrëveshjeve, partitë opozitare në vazhdimësi kanë protestuar, protesta këto të cilat kanë eskaluar në dhunë.

Kjo situatë e brishtë politike, shton Gashi, duhet të tejkalohet në të kundërtën Strategjia Zhvillimore do ta ketë fatin e strategjive të tjera, të cilat asnjëherë nuk janë zbatuar.

“Krahas kësaj strategjie, duhet të punohet më tepër në unifikimin e faktorit të brendshëm politik, sa i përket prioriteteve ekonomike dhe zhvillimore që ka Kosova. Kjo për vetë faktin se shumë herë partitë politike nuk po mund të bëjnë dallimin mes interesave shtetërore dhe interesave partiake dhe politike, për arsye se shumë herë me veprimet e subjekteve politike ne po i shkaktojmë dëme gati të riparueshme të ardhmes ekonomike, por edhe perspektivës euro-integruese të Kosovës, në përgjithësi”, vlerëson Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e vlerëson aprovimin e strategjisë zhvillimore.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës i është dashur një dokument i tillë, në mënyrë që të avancojë proceset ekonomike.

“Besoj që njeriu, për të ditur ku dëshiron të shkojë, duhet të dijë ku është, dhe në këtë drejtim hartimi i një dokumenti të tilla ka një rëndësi substanciale, por besoj që krahas miratimit të kësaj strategjie është dashur të ketë dialog më aktiv dhe më të fuqishëm publiko - privat, që për fat të keq nuk ka ndodhur, kemi marrë informacione vetëm në takime të ndryshme siç është Këshillimi Kombëtar për Zhvillim”, thekson Gërxhaliu.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 fokusohet në adresimin e pengesave kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të konkurrencës.

Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla, kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës.

XS
SM
MD
LG