Ndërlidhjet

Mustafa e Vuçiq u kthehen bisedimeve për Asociacionin


Pamje nga takimi i 25 gushtit 2015 në Bruksel, ndërmjet Isa Mustafës, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë
Pamje nga takimi i 25 gushtit 2015 në Bruksel, ndërmjet Isa Mustafës, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë

Në Bruksel, me 27 janar, do të takohen kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Pjesëmarrjen në këtë takim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, e ka konfirmuar këshilltari i tij për politikë të jashtme, Valon Murtezaj. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi i 27 janarit është i nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrave, por nuk do të jetë i tipit të negociatave.

“Është takim i nivelit më të lartë. Nuk është takim klasik negociator, por është takim ku temat do të fokusohen, në radhë të parë, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe në shikimin e perspektivës së dialogut dhe temave të dialogut në të ardhmen”.

“Pra, pala e Kosovës do të insistojë që marrëveshjet të cilat janë arritur të zbatohen, sepse është evidente që sjellja destruktive e Qeverisë së Serbisë, shpeshherë apo zakonisht, ka bërë që marrëveshjet të mos zbatohen”, ka theksuar Murtezaj.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuyçiq ka deklaruar se do të shkojë në takimin në Bruksel, për të biseduar me kryeministrin e Kosovës, Mustafa, lidhur me zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e arritur me 25 gusht të vitit 2015.

“Ne gjithmonë shkojmë me vullnetin e mirë. Po shkojmë që të bisedojmë për atë që jemi marrë vesh me 25 gusht. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të biseduar dhe situatat më të rënda duhet zgjidhur me dialog. Kështu edhe do të vazhdojmë. Ne i kemi disa tema tona dhe shqiptarët me siguri se i kanë disa tema të tyre dhe bisedimet gjithmonë janë dinamike”, ka theksuar Vuçiq.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë qëndrimit në Ranillug, ka theksuar se përveç çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pala serbe do të kërkojë të bisedohet edhe për sundimin e ligjit dhe, siç i ka quajtur ai, të drejtën për gjykim të drejtë.

Por, Murtezaj ka përjashtuar mundësinë që kjo çështje do të mund të diskutohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Etiketën e sjelljes në tavolinën e negocimit askush askujt nuk mund t’ia diktojë. Megjithatë, kjo është temë krejtësisht ‘non sens’ dhe në këtë rast, për palën e Kosovës,ajo as që do të diskutohet. Nuk do të konsiderohen si tema, ato janë aspekte të drejtësisë”, tha Murtezaj.

Takimi i së mërkurës ndërmjet kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq do të jetë i pari pas takimit të 25 gushtit të vitit të kaluar, kur u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që nxiti një krizë politike në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Themelimi i Asociacionit po kundërshtohet ashpër nga opozita në Kosovë, e cila po vazhdon edhe më tej të kërkojë tërheqjen e kësaj marrëveshjeje nga ana e qeverisë së vendit. Kundërshtimet rreth kësaj çështjeje ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, kanë sjellë deri te zvarritja e krijimit të Asociacionit.

XS
SM
MD
LG