Ndërlidhjet

Rruga drejt Sheriatit


Ilustrim
Ilustrim

Leutrim Dalipi, 25 vjeçar, ishte nisur në shtator të vitit 2014, së bashku me një shok të tij, në drejtim të Sirisë.

Vendimin për t’u nisur drejt asaj që ai e quan “Tokë e Shenjtë”, e mori pa e diskutuar me asnjë anëtar të familjes. Krejt çfarë i është dashur atij ishte një biletë avioni në relacionin Prishtinë – Stamboll...

"Kemi qenë të pajtimit të dy dhe e kemi marrë atë rrugë që të shkojmë në xhihad. I kemi parë zhvillimet se si janë duke shkuar në internet, por edhe në bazë të njerëzve dhe bisedave që janë zhvilluar, kush cili grup është duke e mbajtur Sheriatin [kod ligjor islamik] dhe me atë mendim ne jemi nisur".

"Kemi pasur informata se atje është duke u mbajt Sheriati. E kemi ditë që ka edhe grupe të tjera. Pasi e kemi marrë vendimin është gjetur edhe mundësia përmes shokëve për t’u nisur. I morëm biletat dhe shkuam deri në Stamboll, dha nga aty deri në Gaziantep", tregon Dalipi, i ulur në shtëpinë e tij në Gjilan.

Leutrim Dalipi, nga e djathta, me gazetarin e REL-it, Arton Konushevci
Leutrim Dalipi, nga e djathta, me gazetarin e REL-it, Arton Konushevci

​Me të arritur pranë kufirit Turqi – Siri, ai thotë për Radion Evropa e Lirë se familja e tij dhe e shokut që kishte me vete, u futën në një konflikt të ashpër për dy djemtë e tyre, se kush cilin mund ta ketë shtyrë për të marrë rrugën drejt Sirisë.

"Kemi pasë presion nga familjet, sepse familjet kanë pasë probleme mes vete dhe për ketë arsye kemi menduar të kthehemi, që mos të vije deri te ndonjë gjakderdhje apo diçka tjetër", tha ai, duke zbuluar edhe planet e tij se e kishte ndërmend që ta tërhiqte gjithë familjen në Siri.

Në Gaziantep, ai thotë të kenë qëndruar disa ditë.

Nisur nga përkushtimi ndaj besimit islam, pjesëmarrjen në luftën e Sirisë ai megjithatë e cilëson si të drejtë...

“Kam lexuar Kuran,kam lexuar edhe libra të tjerë të fesë, dhe kam bërë vetë një lloj krahasimi në mendjen time. Ma ka marrë mendja se aty është duke u zhvilluar një luftë e drejtë dhe jemi nisur me atë mendim, jo se kemi pasur ndonjë informacion të hollësishëm se çka po ndodhë atje", thotë Leutrimi, i cili sot merret me ngjyrosje shtëpish.

Ai vjen nga komuna e Gjilanit dhe është baba i dy fëmijëve.

Që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Në mesin e tyre janë edhe tre djemtë e familjes Haqifi, të cilët tash gjenden në Siri. Kjo familje jeton në periferi të qytetit të Gjilanit.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me kryefamiljarin Isa Haqifi, por ai nuk pranoi të flasë për shkuarjen e djemve të tij në Siri, duke i cilësuar gazetarët si mashtrues.

Shtëpia e familjes Haqifi në Gjilan
Shtëpia e familjes Haqifi në Gjilan

“Nuk duam të flasim as me ju, se edhe ju jeni të njëjtë”, tha Haqifi, i ati i Ridvan Haqifit nga Gjilani, i cili lufton përkrah grupit militant Shteti Islamik, dhe i cili njihet nga videot propaganduese që IS-i ka publikuar në gjuhën shqipe.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se familja Haqifi nga komuna e Gjilanit ka tre anëtarë të saj që kanë shkuar në Siri.

"Kemi njohuri që familja Haqifi nga Gjilani i ka tre anëtarë, tre djem, të cilët kanë shkuar në Siri. Në përgjithësi nuk kemi të dhëna për aktivitete të tjera kriminale, mirëpo tre djem të kësaj familjeje kanë shkuar atje, si pasojë e indoktrinimit apo qasjes së radikalizmit dhe kanë dalë andej", ka thënë Shaban Azizi, zëvendës drejtor rajonal në Policinë e Kosovës në Gjilan.

Kjo familje, e cila merret me ndërtimtari, tani jeton me një vajzë dhe një djalë më të ri në moshë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se "gjatë viteve 2014-2015 janë pranuar 57 raste me 226 persona, që kanë të bëjnë me vepra penale të terrorizmit".

"Prej tyre, 16 raste me 29 persona janë në fazën preliminare të hetimeve. Po ashtu, gjatë viteve 2014-2015 janë zhvilluar hetime ndaj 190 personave dhe janë ngritur aktakuza ndaj 62 personave", tregon Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria ka treguar po ashtu se janë pezulluar hetimet ndaj 39 personave, kurse janë pushuar hetimet ndaj 21 personave, dhe është hedhur një kallëzim penal ndaj 1 personi, derisa ndaj 3 të miturve është bërë propozimi për shqiptimin e masës edukative.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Kosova ka edhe "Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm".

XS
SM
MD
LG