Ndërlidhjet

Leonardo DiCaprio në rolin e presidentit rus, Vladimir Putin?!


Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe aktori amerikan, Leonardo DiCaprio.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe aktori amerikan, Leonardo DiCaprio.

Ka qenë një zgjedhje e supozuar që ka pushtuar imagjinatën në Rusi dhe më gjerë: Ylli i Hollywood-it, Leonardo DiCaprio, në rolin e presidentit rus, Vladimir Putin, në një film biografik.

Projekti i filmit ekziston dhe ka një reklamë tërheqëse: “Nga KGB-ja në kryeministër, e pastaj president”.

Megjithatë, përzgjedhje të aktorit, për momentin, nuk ka.

Kanali i pavarur rus Dozhd, më 2 shkurt, ka cituar dy burime të paidentifikuara, “të afërta me producentët e filmit”, të kenë thënë se DiCaprio është pajtuar parimisht për të luajtur rolin e udhëheqësit autoritar rus.

Lajmi ka përfshirë mediat sociale në gjuhën ruse. Në ueb-faqen LifeNews, e cila anon kah Kremlini, është thënë se ky rol i DiKaprios është “ëndërr e realizuar” për aktorin amerikan, i cili, muajin e kaluar, ka thënë se të luash Putinin “do të ishte shumë, shumë interesante”.

“Do të doja të luaja Putinin”, ka thënë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag” DiCaprio, i cili është i nomunuar për çmimin Oscar 2016 për rolin e tij në filmin The Revenant.

Por, duket se burimet e kanalit rus Dozhd janë ngutur.

Grant Cramer, shefi ekzekutiv i kompanisë Knightsbridge, e cila është duke zhvilluar filmin autobiografik për Putinin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka arritur ende te DiCaprio.

“E njoh Leonardon dhe e konsideroj si një nga aktorët dhe njerëzit më të mirë. Ai do të ishte një zgjedhje e ëndrrave, por nuk kemi arritur ende tek ai”, ka thënë Cramer.

“Jemi duke biseduar me një regjisor të madh, i cili është shumë i interesuar, por tek aktorët nuk kemi arritur ende”, ka shtuar ai.

Cramer ka thënë po ashtu se kur kompania e tij ka dëgjuar se DiCpario është i interesuar të luajë Putinin, “secili është gëzuar”.

Kompania Knightsbridge e ka përshkruar projektin e planifikuar si një “vështrim intim në jetën dhe rritjen e njërit prej njerëzve më të fuqishëm në botë”.

Cramer ka thënë se xhirimet, sipas të gjitha gjasave, do të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.

As DiCaprio dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë qenë të qasshëm për komente.

Putin dhe DiCaprio janë takuar në vitin 2010 në Shën Petersburg, ku lideri rus – atëbotë kryeministër i vendit – e ka cilësuar aktorin si “njeri të vërtetë”, i cili ka ndjekur një samit për shpëtimin e tigrave të egër.

DiCpario i ka thënë Putinit se i ka pasur dy gjyshër rusë dhe se gjithmonë ka dashur të udhëtojë në Shën Petersburg me gjyshen e tij. (v.tela)

XS
SM
MD
LG