Ndërlidhjet

Demarkacioni, kusht për liberalizim vizash


Ilustrim
Ilustrim

Demarkacioni i kufirit Kosovë - Mal i Zi është ngritur si çështje nga Bashkimi Evropian, për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka deklaruar të martën zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, plotësimi i kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave është i nevojshëm për Kosovën, jo vetëm për shkak të liberalizimit të vizave, por për faktin se përmbushja e këtyre kritereve avancon demokracinë.

Megjithatë, ai ka theksuar se Kosovës po i vihen kushte, të cilat nuk kanë qenë edhe për vendet tjera, të paktën, për ato të rajonit.

“Për liberalizimin e vizave, ngrihet çështja e demarkacionit, ratifikimit të marrëveshjes Kosovë - Mal i Zi. Ndërsa, kemi vende që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe nuk u kërkohet një diçka e tillë, edhe pse ende nuk i kanë përmbyllur ato. Ne e kemi nënshkruar marrëveshjen, do ta respektojmë në tërësi. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Malin e Zi. Por, e ritheksoj, të trajtohemi njëjtë, sikurse vendet e tjera”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova është e përcaktuar për integrimet euroatlantike dhe në këtë prizëm edhe duhet të trajtohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se çështja e shënimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi është kriter, i ashtuquajtur monitorues dhe jo imediat.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk do të ishte ndonjë problem i madh për Bashkimin Evropian, po të mos politizohej në Kosovë, si një çështje për të cilën ka mospajtime të skajshme ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

“Por, tash, me faktin që ne e kemi politizuar këtë çështje, mos të harrojmë që edhe BE-ja, përkundër faktit që ka kritere teknike, shpeshherë vepron edhe politikisht, dhe e gjen si mekanizëm shumë të rëndësishëm çështjen e liberalizimit të vizave, për t’i detyruar vendet që të ndërmarrin disa reforma ose disa vendime të ndryshme.”

“Në këtë rast, unë mendoj që çështja e demarkacionit, edhe pse njihet si kusht monitorues, do të jetë çështje shumë e rëndësishme dhe pres që nëse kjo nuk zgjidhet shpejt, të aktivizohet në fazën para se të hyjë në fuqi lëvizja e lirë për kosovarët”, ka thënë Muharremi.

Ai ka shtuar se kërkesë e ngjashme nga BE-ja, për demarkacion të kufirit, nuk i është bërë Serbisë për liberalizim vizash. Por, sipas tij, kërkesa ndaj Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është e mundur që, eventualisht, të ketë prapavijë politike.

“Marrë parasysh që Bashkimi Evropian, në njëfarë mënyre, zakonisht e përkrahë më shumë qeverinë sesa opozitën, për shkak se punon më shumë me të - jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e tjera - mund të ndodhë që edhe qeveria e përdorë BE-në që të na detyrojë neve brenda, që ta zgjidhim çështjen, kur e dimë të gjithë që liberalizimi i vizave duket që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kosovarët.”

“Pra, qeveria e pyet BE-në që t’i bëjë favor, i thotë ‘kërkona këtë’, për shkak se kemi probleme të brendshme, në mënyrë që t’ia lehtësojë aprovimin në Kuvend”, thotë Muharremi.

Në anën tjetër, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, të mërkurën është takuar me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, me ftesë të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në një komunikatë për medie të Ministrisë për Integrim Evropian thuhet se: “Ministri Çollaku ka informuar ambasadorët rreth përmbushjes së tetë rekomandimeve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave dhe hapave të radhës që priten në javët e ardhshme”.

Përveç çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila është përmendur tash së fundmi nga zëvendëskryeministri Thaçi, Kosovës i patën mbetur për t’i përmbushur edhe 8 kritere të përcaktuara nga Komisioni Evropian, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Megjithatë, e pazgjidhur ka mbetur ende çështja e objektit të Avokatit të Popullit, që është një nga 8 kriteret e kërkuara.

XS
SM
MD
LG