Ndërlidhjet

Paneli i OKB-së: Themeluesi i Wikileaks-it duhet të lirohet


Julian Assange
Julian Assange

Themeluesi i ueb-faqes Wikileaks, Julian Assange, duhet të lihet i lirë dhe të kompensohet për “privim nga liria”, ka konstatuar një panel ligjor i Kombeve të Bashkuara.

Assange, 44 vjeç, i cili përballet me ekstradim në Suedi, nën akuzat për përdhunim të cilat ai i mohon, ka kërkuar azil në ambasadën e Ekuadorit në Londër, në vitin 2012.

Ai ka qenë i ndaluar në mënyrë arbitrare që nga arrestimi i tij në vitin 2010, ka thënë paneli.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se raporti “nuk ndryshon asgjë” dhe se ajo “do ta kontestojë formalisht opinionin e grupit punues”.

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, ka thënë se opinioni i panelit është “qesharak” dhe se Assange është “i arratisur nga drejtësia”. Policia britanike ka thënë se do të bëjë “çdo përpjekje” për të arrestuar Assangen nëse ai lë ambasadën.

Vendimi i panelit nuk është ligjërisht i detyrueshëm në Britaninë e Madhe dhe urdhërarresti evropian mbetet në fuqi, çfarë do të thotë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon ta ketë detyrim ligjor ekstradimin e Assanges.

Grupi Punues i OKB-së mbi Ndalimin Abritrar ka thënë se ndalimi i Assanges “duhet të mbarojë” dhe se “integriteti i tij fizik dhe lira e tij e lëvizjes duhet të respektohen”.

“Assanges duhet t’i jepet e drejta për kompensim”, ka shtuar paneli.

Po sipas tij, Assange u është nënshtruar “formave të ndryshme të privimit nga liria”, fillimisht kur është mbajtur në izolim për dhjetë ditë në burgun Wandsworth të Londrës, në vitin 2010.

Privimi ka qenë “i vazhdueshëm” prejse ai është arrestuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar më 7 dhjetor, 2010.

Paneli ka thënë se Assange më pas ka qenë në “arrest shtëpiak dhe izolim”, derisa ka qenë brenda ambasadës së Ekuadorit.

Assange ka hyrë në këtë ambasadë qysh në qershor të vitit 2012, derisa ka qenë i lirë me kusht dhe pasi ka humbur disa apele në gjykatat britanike.

Në vitin 2014, ai është ankuar te Kombet e Bashkuara se “është ndaluar në mënyrë arbitrare”.

Assange ka thënë se vendimi i panelit të OKB-së ia ka kthyer buzëqeshjen.

“Jam ndaluar pa ndonjë akuzë në këtë vend, në Mbretërinë e Bashkuar, për pesë vjet e gjysmë. Këta pesë vjetë e gjysmë kam pasur vështirësi të mëdha për të parë familjen time dhe fëmijët. Ndalimi pa akuza është konstatuar nga organizata më e lartë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Assange.

Opinionin final të panelit të OKB-së e ka hedhur poshtë edhe Qeveria e Suedisë, e cila ka thënë se Assange ka zgjedhur vullnetarisht të qëndrojë në ambasadën e Ekuadorit.

“Autoritetet suedeze nuk kanë asnjë kontroll mbi vendimin e tij për të qëndruar atje. Assange është i lirë të largohet nga ambasada kurdo”, ka thënë Qeveria suedeze përmes një deklarate.

Ueb-faqja e Assanges, WikiLeaks, ka publikuar dokumente sekrete të Qeverisë amerikane dhe Assange druan se Uashingtoni do të kërkojë transferimin e tij në SHBA nëse ai dërgohet në Suedi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG