Ndërlidhjet

A është krim mbledhja e mbeturinave në Teheran?


Protesta e aktivistëve në Iran
Protesta e aktivistëve në Iran

I mbetur në një situatë me pak opsione ligjore për ta theksuar represionin shtetëror në Iran, ish-rektori i Universitetit të Teheranit, Mohammad Maleki dhe ish-kolumnisti kritik, Mohammad Nurizad, vendosën për një formë (në dukje të parrezikshme) të protestës publike, duke mbledhur mbeturina nëpër rrugët e Teheranit.

“[Mbledhja e mbeturinave] nuk është krim”, shkroi në faqen e tij në ‘Facebook’ Nurizad, më 26 janar. “Apo është?”

Aksioni i parë i dy disidentëve të njohur, për pastrimin e rrugëve, u mbajt pa ndonjë incident javën e kaluar. Por, kur Maleki dhe Nurizad u takuan sërish për një aksion tjetër, më 5 shkurt, ata u pritën nga agjentët e sigurisë, të cilët i morën me veturë dhe i lanë pranë rrugës, jashtë kryeqytetit.

Por, ata mbetën të pamposhtur, duke e vazhduar protestën e tyre pranë një autorruge, duke postuar pastaj fotografi të “punës së tyre të mirë” në rrjetet sociale.

Njëra prej tyre e tregon 82 vjeçarin Maleki të mbuluar nga një shall, ku lexohet: “Le të pastrojmë mbeturinat”, duke e bërë shenjën e fitores, përderisa pozonte për një foto, pranë rrugës. Në sfond shihet një pano e madhe, me një fotografi që tregon themeluesin e Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini, pas kthimit të tij në Teheran, nga mërgimi.

Duke folur pas ngjarjes për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë, Maleki tha se pavarësisht ndërhyrjes në aksionin e tyre, ai dhe Nurizad nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë.

“Ne nuk do ta ndalim protestën tonë”, tha Maleki gjatë një interviste përmes telefonit, në Teheran. “Ne do të përfshihemi në veprime të tjera simbolike të protestës”, ka thënë ai.

Gjatë muajve të fundit, të dy aktivistët kanë mbajtur një numër të konsiderueshëm të veprimeve, për të theksuar shkeljet e të drejtave të njeriut në republikën Islamike, përfshirë burgosjen e aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Që të dy janë kritikë të zëshëm të institucioneve iraniane dhe që të dy kanë kaluar kohë në burg në të kaluarën.

Ata thonë se kanë vendosur që të mbledhin mbeturina, sepse kjo gjë nuk konsiderohet krim në Iran, përderisa kritikat ndaj institucioneve dhe përpjekjet për mbledhje publike dhe protesta shpesh rezultojnë me akuza, përfshirë “veprime kundër sigurisë kombëtare të Iranit”.

Gjatë paralajmërimit të protestës në fund të janarit, Nurizad tha se ata në veçanti po protestonin për një ndalesë udhëtimi me të cilën ishin përballur “pa ndonjë arsye të caktuar apo urdhri gjyqësor”, dhe gjithashtu kundër “konfiskimit të disa prej gjërave të tyre personale”, nga Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane.

Nurizad, një ish-përkrahës i regjimit, më vonë disident, publikoi disa foto të tij, të Malekit dhe të disa burrave dhe grave të tjera, me qese plastike, të mbushura me mbeturina, të cilat i kishin mbledhur në rrugët e kryeqytetit iranian gjatë protestës së parë, të mbajtur më 2 shkurt 2016.

XS
SM
MD
LG