Ndërlidhjet

HRW: Qindra shkolla të shkatërruara nga lufta në Ukrainë


Ilustrim
Ilustrim

Qindra shkolla janë shkatërruar gjatë luftës në lindje të Ukrainës, duke përfshirë edhe ato që janë përdorur për qëllime ushtarake nga të dyja palët, thuhet mes të tjerash në një raport të publikuar të enjten nga organizata Human Rights Watch.

Shkollat, të cilat i kanë mbijetuar luftës, veprojnë në kushte shumë të rrezikshme dhe shpesh janë të mbipopulluara, derisa shumë fëmijë janë detyruar që ta ndalojnë tërësisht vajtjen në mësime, thuhet në raportin e titulluar “Shkollimi nën breshëri: Sulmet në shkolla, përdorimi i shkollave për qëllime ushtarake gjatë konfliktit të armatosur në Ukrainën lindore”.

Raporti kërkon që palët në konflikt, forcat qeveritare dhe separatistët e mbështetur nga Rusia, të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e sigurisë së fëmijëve, për t’iu mundësuar atyre që të kenë qasje në shkollim dhe të ndalojnë së përdoruri shkollat për qëllime ushtarake.

“Të gjitha palët në konflikt kanë përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve dhe për të siguruar që armiqësitë mes tyre nuk shkaktojnë dëm të mëtutjeshëm për sigurinë dhe shkollimin e tyre”, thuhet në raportin e organizatës, me bazë në Nju Jork.

Gjatë vizitave në 41 shkolla dhe kopshte fëmijësh dhe pas realizimit të 62 intervistave me nxënës, mësues, drejtorë shkollash e dëshmitarë, HRW ka konstatuar se shkollat janë shkatërruar edhe në zonat e kontrolluara nga separatistët, por edhe në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Yulia Gorbunova, hulumtuese nga Ukraina në HRW, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të dyja palët i kanë përdorur shkollat për aktivitete ushtarake, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave dhe armatimit në shkolla dhe në afërsi të tyre.

“Shfrytëzimi i shkollave për qëllime ushtarake ka bërë që ato të shndërrohen në caqe ushtarake dhe e ka shtuar mundësinë qe ato të sulmohen dhe te shkatërrohen”, ka thënë Gorbunova.

Shkollat e tjera të dëmtuara gjatë konfliktit, nuk janë zënë ose përdorur nga forcat luftarake, dhe për këtë arsye nuk duket të kenë qenë shënjestra “legjitime” ushtarake.

Ajo ka thënë se përmes raportit e kanë dokumentuar se gjatë konfliktit, luftëtarët nuk kanë dalluar caqet civile dhe ato ushtarake.

Më shumë se 9 mijë civilë dhe luftëtarë janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në prill të vitit 2014.

Luftimet janë zvogëluar dukshëm që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, në shtator të vitit të kaluar.

Por marrëveshja e armëpushimit, në shumë raste, është shkelur sikurse marrëveshja që ka për qëllim zgjidhjen e konfliktit.

Raporti vë në pah një sulm artilerie nga zonat që kontrolloheshin nga separatistët, në qershor të vitit 2015, sulm i cili ka shkaktuar dëm të madh në një shkollë në Krasnohorivka, qytet i kontrolluar nga qeveria në rajonin Donjeck. Rreth 700 metra në afërsi të kësaj shkolle, është i vendosur një postbllok i ushtrisë ukrainase.

“Pra, ka pasur një sulm shumë të rëndë nga artileria, nga i cili shkolla u godit shumë herë, në mënyrë të përsëritur, ndërsa pika e kontrollit të ushtrisë nuk është goditur fare, as edhe një herë. Kjo tregon se shkolla qëllimisht ishte në shënjestër”, ka thënë Gorbunova.

Raporti paralajmëron se pasja në shënjestër e institucioneve të tilla, është e ndaluar sipas ligjeve të luftës dhe sipas raportit, mund të ndiqet penalisht si krim lufte.

Raporti dokumenton se ka raste kur ushtria ukrainase i ka uzurpuar shkollat dhe “shpesh kanë thyer dritare apo i kanë djegur orenditë shkollore, duke përfshirë dyert e klasave, karriget dhe tavolinat”.

Hulumtuesja ka shtuar se në disa raste, trupat që kanë marrë pjesë në luftime, kanë lënë pas artileri të rëndë apo municione të papërdorura.

Raporti thekson se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Ukrainë, e ka pranuar gjatë takimeve me përfaqësuesit e HRW se trupat qeveritare i kanë përdorur shkollat për qëllime ushtarake.

Duke iu bërë thirrje të dyja palëve që ta ruajnë sigurinë e fëmijëve dhe t’i lejojnë ata që të kenë qasje të papenguar në edukim, HRW thotë se kjo mund të bëhet vetëm nëse autoritetet ukrainase e miratojnë dhe e respektojnë Deklaratën për Shkolla të Sigurta – një deklaratë e miratuar në një konferencë në Norvegji në vitin 2015. Deri më tani 51 shtete e kanë nënshkruar atë deklaratë.

Gorbunova ka thënë se Kievi ka treguar gatishmëri për ta miratuar këtë deklaratë.

“Ne nuk e kemi të qartë afatin kohor (për nënshkrimin), por ne do të vazhdojmë të punojmë për së afërmi me qeverinë ukrainase dhe shpresojmë që kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt”, ka thënë Gorbunova.

Raporti i Human Right Watch kërkon edhe nga separatistët që t’i ndjekin udhëzimet dhe parimet e Deklaratës për Shkolla të Sigurta, në mënyrë që gjatë konfliktit të armatosur të mbrohen shkollat dhe universitetet nga përdorimi ushtarak.

Gorbunova ka thënë se respektimi i deklaratës nga ana e separatistëve, duhet të dëshmohet me veprime konkrete.

“Teksa ne nuk mund të kërkojmë nga militantët që zyrtarisht ta miratojnë deklaratën, ngase ata janë akterë jo-shtetërorë, ne patjetër mund t’iu bëjmë thirrje atyre që të ndjekin praktikat më të mira, të paraqitura në udhëzime, dhe të lëshojnë urdhër të qartë për të gjitha forcat që veprojnë nën komandën e tyre, që të ndalojnë së përdoruri shkollat për qëllime ushtarake”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG