Ndërlidhjet

Përparime në integrimin e personave me Sindromën Down


Kartolinat e krijuara nga shoqata Down Syndrom Kosova
Kartolinat e krijuara nga shoqata Down Syndrom Kosova

Në Kosovë janë mbi 800 persona të identifikuar me Sindromën Down.

Personat e prekur me këtë sindromë, kanë arritur mjaft që të inkuadrohen në shoqëri, thonë përfaqësueses të organizatës “Down Syndrom Kosova”.

Këtë vit, këta persona kanë vendosur që festën e 17 shkurtit, date kjo kur është shpallur Kosova shtet i pavarur, t'a bëjnë një befasi për qytetarët e Kosovës.

Ata kanë punuar kartolina punë dore, për t'i shitur ato, dhe me të hollat që fitojnë do të organizojnë edhe aktivitete të tjera për komunitetin.

Sebahate Beqiri, udhëheqëse e Organziatës Down Syndrom Kosova, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo shoqatë përpos programeve që ka për edukim dhe intervenim të hershëm, po zhvillon edhe aktivitete që për qëllim kanë pavarësimin e personave me këtë sindrom.

"Ky program është duke funksionuar në tri qendra të shoqatës, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë. Nga përgjegjësja e programit bëhen grupet dhe secili grup e ka orarin e caktuar se kur duhet të punojë në kartolina punë dore dhe paketim të mjaltit. Nga shitja e kartolinave mjetet po i përdorim për zhvillimin e aktiviteteve brenda shoqatës. Në këtë program ka fëmijë dhe të rritur të prekur me Down Sindrom", tha Beqiri.

Aldi është 19 vjeçar dhe është i prekur me këtë sindrom. Ai ka perfunduar shkollën në Qendrën Burimore "Përparimi", dhe tash e një vit është bërë pjesë e shoqatës Dawn Sindrom Kosova.

"Me shumë dëshirë punoj kartolina bashkë me miqtë e mi ne Shoqatën ‘’Down Syndrom Kosova’’. Këto kartolina përveç që janë punime dore, janë të punuara me shumë dashuri nga të gjithë ne‘’, përfundon Aldi.

Njëra nga pikat ku shiten këto kartolina është libraria Dukagjini në Prishtinë.

Sabahate Çavderbasha nga kjo librari, ka thënë se janë të kënaqur që po bashkëpunojnë me këtë kategori të shoqërisë, që sado pak të mund t’ju ndihmojnë me shitjen e tyre në këtë librari, meqë aty frekuentohet gjatë ditës nga shumë njerëz.

"Këtë vit është një risi për librarinë Dukagjini në Prishtinë, pasi që janë prezent për festa si edhe për ditën e Pavarësisë së Kosovës, kartolinat e fëmijëve me Sindromën Down. Ne i shesim ato, ju kemi dalë në ndihmë, dhe paratë e fituara i merr shoqata e tyre. Ne jemi shumë të entuziazmuar me ta, vërtetë kemi pasur kënaqësinë që po bashkëpunojmë me ta. Besoj që ky projekt do të vazhdojë edhe më tej".

Ndryshe, Organziata Down Syndrom Kosova, është hapur në vitin 2007. Zyrtarë brenda saj thonë se para këtij viti fëmijët e prekur me këtë sindrom, nuk kanë pasur kurfarë të drejta, si dhe nuk e kanë pasur të drejtën e shkollimit, të regjistrimit në çerdhe të rregullta.

Por, prej kur është hapur kjo qendër, shumë gjëra kanë ndryshuar për të mirë, duke filluar nga e drejta e shkollimit, e deri tek programet që mbahen për pavarësimin e tyre për jetë.

XS
SM
MD
LG