Ndërlidhjet

Arrestime e tensione para shënimit të tetëvjetorit të pavarësisë


Prishtina, një ditë para shënimit të tetë vjetorit të pavarësisë
Prishtina, një ditë para shënimit të tetë vjetorit të pavarësisë

Shënimi i tetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës sivjet po bëhet në dy forma; përmes aktiviteteve solemne, të organizuara nga institucionet e shtetit, si dhe përgatitjes për protesta, të thirrura nga opozita.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje për një festë të denjë, por edhe protestë të dinjitetshme.

Pas takimit me presidenten e Maltës, Marie Louis, Jahjaga tha se 17 shkurti është një ditë e madhe për popullin e Kosovës.

"Ne nuk duhet ta zbehim sakrificën tonë për ta shpallur Kosovën shtet të pavarur, që e kemi sot. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që këtë ditë ta shënojmë duke aspiruar një Kosovë më të mirë, një Kosovës për të cilën kemi sakrifikuar për vite me radhë", tha Jahjaga.

Ndryshe, mbrëmjen e së hënës, autoritetet e rendit kanë arrestuar Frashër Krasniqin, drejtuesi i zyrës për Media dhe Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje, kurse mëngjesin e së martës, në orët e hershme, kanë arrestuar edhe Shefin e Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Glauk Konjufca. Ndërsanë Klinë, policia ka arrestuar asamblistit e Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Merturi.

Arrestimin e e këtyre zyrtarëve e ka konfirmuar Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje.

"Zyrtarisht nuk kemi asnjë informacion, veç atyre që po qarkullojnë në media, ku thuhet se bëhet fjalë për rrotullimin e makinave të EUELX-it (2009). Ai aksion është bërë në kundërshtim të marrëveshjes që misioni i EULEX-it kishte nënshkruar me Serbinë, për bashkëpunim ndër policor, pra, për ta lejuar kështu ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë.”

"Aktivistët tanë po arrestohen pikërisht një ditë para protestës së madhe, që është sërish kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër një qeverie që po e shtynë përpara një gjë të tillë", tha Tahiri.

Tahiri theksoi po ashtu se policia po kërkon shumë aktivistë nëpër shtëpitë e tyre.

"[Policia ] ka shkuar në shtëpitë e shumë aktivistëve të Lëvizjes, ashtu që të shpërndajnë panik, t'i gjejnë ata, t'i arrestojnë dhe duke u munduar kështu ta dobësojnë protestën tonë të nesërme", u shpreh Tahiri.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje thotë se: "Qeveria e frikacakëve Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e parë që protesta e 17 shkurtit do të jetë masive dhe e fuqishme, po e vazhdon fushatën e përndjekjeve dhe arrestimeve të aktivistëve. Gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Kurse, në komunikatën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me këto arrestime, ndër të tjera, thuhet se: " Nuk mund të jetë krejt e rastësishme që pushteti vendosë ta ushtrojë zbatimin e ligjit në ditën më domethënëse për opozitën, prandaj, AAK vlerëson se operacioni i arrestimeve pikërisht sot, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme", thuhet në komunikatë të AAK-së.

Nga ana tjetër, Polica e Kosovës ka konfirmuar se që nga mbrëmja e së hënës është duke e realizuar një aksion për zbatimin e vendimeve të organeve gjyqësore. Zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Daut Hoxha shpjegon:

"Bëhet fjalë për realizimin e urdhëresave ligjore që dalin nga organet e drejtësisë, dhe është obligim i policisë për t'i realizuar këto urdhëresa", tha zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Daut Hoxha, duke mos dashur të flasë për emrat e personave që deri tash janë shoqëruar në polici.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani thotë se veprimet e sistemit të drejtësisë dhe policisë, në ndërlidhje me zhvillimet politike dhe arrestimet, acarojnë shumë e me shumë situatën politike.

"Veprimet, nga cila do anë qofshin, si nga qeveria apo opozita, qoftë edhe nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, që kanë konotacione politike, vetëm sa e thellojnë krizën dhe e acarojnë diskursin publik politik", tha Ramadani.

Përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës po shënohet me njoftime për festë dhe paralajmërime për protesta. Ndërsa, arrestimet e fundit thuhet se kanë rritur tensionet mes pushtetit dhe opozitës.

Sipas një komunikate të Vetëvendosjes, aktivistët e arrestuar të kësaj Lëvizjeje janë: Fatmir Kurtaj, Frashër Krasniqi, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skender Merturi.

XS
SM
MD
LG