Ndërlidhjet

Uzurpatorët të lidhur me pushtetet


Ilustrim
Ilustrim

Publikimi i listave të uzurpatorëve aktual dhe të mëparshëm të pronave shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të hënën, më 15 shkurt, ka nxjerrë në pah mosfunksionimin e ligjit në Kosovë për vite të tëra, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka publikuar listën me 170 prona, të uzurpuara aktualisht nga 116 persona fizik dhe 54 persona juridik, si dhe llojet e aseteve dhe rajonet ku janë të uzurpuara ato.

Lista e uzurpatorëve të mëparshëm përmban 632 asete, të uzurpuara nga 499 persona fizik dhe 133 persona juridik.

Publikimi i listave është bërë, siç thuhet, pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka vlerësuar publikimin e listave me uzurpatorët e pronave shoqërore si një hap të mirë në transparencën e punëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pas emërimit të menaxhmentit të ri në këtë agjenci.

Por, sipas tij, publikimi i këtyre listave është vetëm nismë drejt hapjes së problematikës kryesore apo siç e ka quajtur ai, “sekretit publik” që e ka karakterizuar privatizimin në Kosovë, në 17 vjetët e fundit.

“Hapja e listave është vetëm hapi i parë. Pra, nuk bën ndonjë risi të madhe në përndjekjen e këtyre uzurpatorëve dhe në lirimin e këtyre hapësirave. Hapi i ardhshëm natyral do të ishte një iniciativë e Prokurorisë së shtetit dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi për të bërë dy procese".

"I pari, për të mbajtur përgjegjës këta individë dhe e dyta, për të liruar këto hapësira, sepse janë hapësira të përbashkëta shoqërore të Kosovës, të cilat duhet të ndjekin hapin e privatizimit, siç është paraparë me ligjin në Kosovë”, tha Abdixhiku.

Ibrahim Rexhepi, njohës i zhvillimeve në Kosovë, vlerëson se publikimi i listave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nxjerr në pah efikasitetin tejet të ulët, deri më tash, të institucioneve që përkujdesen për zbatimin e ligjit. Sipas tij, bërja publike e listave nuk është asgjë më shumë se sa vetëm një vërejtje publike për uzurpatorët

“Këtu, në radhë të parë, mendoj te Agjencia Kosovare e Privatizimit, i cili nuk është dashur të preokupohet aq shumë me publikimin e listave sa me hapjen e procedurave dhe me kërkesën ose këmbëngulësin që këto prona të çlirohen, që në to të kenë qasje njerëzit që mbase edhe i kanë blerë".

"Në fakt, që të menaxhohen në mënyrë të ligjshme, përmes kontratave dhe formave tjera që i ka Agjencia Kosovare e Privatizimit. Është dashur, pikërisht, kryetari i parlamentit që të bëjë presion te AKP-ja që të së paku të bëjë publike listën”, tha Rexhepi.

Por, ajo që është parë në listat e publikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, sipas Abdixhikut, tregon se në to gjenden emra të njerëzve të njohur për publikun, të cilët kanë qenë të lidhur në forma të ndryshme me nivelet e ndryshme të pushteteve, që nga paslufta e këndej.

“Pra, këta njerëz janë financues, individë të caktuar që kanë qenë të lidhur me pushtetin në kohë të ndryshme, të cilët kanë ushtruar ndikimin politik për të mbajtur këto prona".

"Disa prej këtyre pronave madje ishin në qendrat kryesore të Kosovës, shumë afër institucioneve publike dhe lehtësisht të dalluara. Pra, kemi të bëjmë me një ndërlidhje të domosdoshme të këtyre individëve me pushtetet e 17 vjetëve të kaluar dhe kjo është edhe arsyeja se pse ata kanë arritur të mbajnë këto prona”, shtoi Abdixhiku.

Në anën tjetër, Rexhepi thekson se uzurpatorët i kanë menaxhuar pronat e uzurpuara në mënyrën si kanë dashur vet, pa ndonjë mbikëqyrje për mirëmbajtjen apo gjendjen e këtyre pronave.

“Ata njerëz kanë pasur përfitime dhe nuk kanë paguar kurrfarë kompensimi për shfrytëzimin e kësaj prone, që në fakt, këtë çështje është dashur AKP-ja dhe AKM-ja (Agjencia Kosovare e Mirëbesimit) e dikurshme ta rregullojë, në mënyrë që edhe nëse shfrytëzohen pronat, kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme deri në momentin kur ajo e sheh të arsyeshme që duhet të privatizohet. Çështja ka mundur të zgjidhet në mënyrë institucionale".

"Por, realisht, para këtij problemi i kanë mbyllur sytë të gjithë, Madje, do të thosha se ndoshta edhe të gjithë kanë qenë lojtarë të kësaj loje të pistë”, tha Rexhepi.

Në njoftimin e për medie të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është thënë se listat e publikuara të uzurpatorëve të pronës shoqërore, periodikisht do të azhurnohen, ndërkohë që janë ftuar palët e interesit, që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyrat rajonale të Agjencisë.

XS
SM
MD
LG