Ndërlidhjet

Edhe qytetarët të ndarë në festën e pavarësisë


Ilustrim
Ilustrim

Në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, disa nga qytetarët shprehen të kënaqur me arritjet që ka shënuar shteti i tyre përgjatë këtyre viteve, e disa jo.

Shumica prej tyre kujtojnë 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, e që në atë kohë thonë se kishin një entuziazëm të madh se me bërjen shtet do të kishte përmirësime të mëdha në vendin e tyre.

Tani, pas tetë viteve të Kosovës shtet të pavarur, shumica prej tyre flasin për një gjendje jo të mirë ekonomike dhe sociale në familjet e tyre.

Jonuz Sinani, një qytetar që e takuam në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kishte pritje më të mëdha, se me bërjen shtet, do të kishte përmirësime.

“Kam pritur që të ketë vende pune më shumë, pasi që ashtu kishte premtuar qeveria, sidomos kjo qeveri që tani po e udhëheqë vendin, por kjo nuk ka ndodhur”, shprehet ai.

Po ashtu, edhe Zana, një qytetare nga Prishtina, thotë se ndihet e zhgënjyer nga puna e institucioneve të Kosovës, përgjatë këtyre viteve.

“Jam shumë e dëshpëruar, nuk shoh asnjë të arritur sa i përket këtyre tetë viteve që Kosova është shtet. Unë shpreh keqardhjen time më të madhe sa i përket ekonomisë, e cila në vazhdimësi është në rënie, po ashtu përveç numrit të madh të të papunëve, ka edhe një varfëri shumë të madhe. Pastaj liberalizmi i vizave nuk ndodhi”, shprehet ajo.

Ndryshe nga Jonuzi shprehet Selim Osmani, nga fshati Besi, i cili kishte ardhur në Prishtinë për të parë parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Njësitet e Policisë së Kosovës.

Ai thotë se Kosova për këto tetë vite ka ecur përpara.

“Kam ardhur në Prishtinë atëherë kur Kosova është shpallur e pavarur dhe erdha edhe sot, në tetë vjetorin e pavarësisë. I pashë duke kaluar Forcat e sigurisë së Kosovës, u ndjeva krenar për shtetin tim”, shprehet ai.

Derisa, Lumnije Gashi konsideron se Kosova ka pasur edhe arritje edhe ngecje gjatë këtyre tetë viteve.

“Kosova në tetë vjetorin e pavarësisë ka pasur disa përparime, por, fatkeqësisht, më shumë ngecje. Ndoshta kriza politike po e ngulfat shtetin e Kosovës dhe nuk po kazhvillim ekonomik, papunësia është shumë e madhe, ligji nuk zbatohet e shumë, e probleme të tjera”, thotë ajo.

Tetë vjetori i pavarësisë së Kosovës po shënohet ndaras dhe në dy forma, me festë dhe protesta.

Qytetarët të cilët kishin dalë të protestojnë, tregojnë për Radion Evropa e Lirë se nuk janë të kënaqur me qeverisjen që po i bëhet shtetit të Kosovës, dhe për këtë ata të mërkurën kishin dalë të protestojnë.

Ismet Qeriqi, nga qyteti i Lipjanit, shprehet:

“Kam dalë të protestoj kundër këtij sistemi. Unë nuk jam për me rrëzu Qeverinë, por jam për të ndryshuar gjendjen komplet të menduarit dhe të vepruarit në Kosovë”, thotë ai.

Ndërsa, Mahir Dautaj thotë se ka ardhur nga Zvicra në Kosovë që të jetë pjesë e kësaj proteste.

“Kam dalë të protestoj kundër hajnisë. Populli i Kosovës nuk e meriton këtë udhëheqje”, thotë ai.

Ndryshe, papunësia është një nga problemet më të theksuara që e ka përcjellë Kosovën gjatë këtyre tetë viteve.

Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, shkalla e papunësisë ka qenë mbi 43 për qind, ndërkaq pjesa më e madhe e të papunëve kanë qenë të rinjtë.

Që nga ajo periudhë, statistikat zyrtare nuk kanë ndryshuar shumë. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2014, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është 35.8 për qind. Mbi 61 për qind e të papunëve janë të moshës prej 16 deri në 24 vjeç.

XS
SM
MD
LG