Ndërlidhjet

Përshkallëzimi ushtarak kërcënon përpjekjet për armëpushim në Siri


Siri
Siri

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak në Siri kërcënon të prishë përpjekjet për të institucionalizuar armëpushimin dhe për të rinisur bisedimet për paqe.

“Aktiviteti i përshkallëzuar ushtarak nga disa palë dhe kërcënimet për të përdorur tutje forcën, rrezikojnë të prishin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka thënë Ban në raportin e tij të parë për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në lidhje me zbatimin e rezolutës së dhjetorit, e cila përcakton planin për procesin e paqes në Siri.

Rezoluta është mbështetur nga 17 vende që kanë pikëpamje të ndryshme për konfliktin në Siri. Të njëjtat vende janë pajtuar më 12 shkurt për “armëpushim të armiqësive” në Siri brenda një jave.

Ban ka thënë se respektimi i armëpushimit as që duket, pasi forcat qeveritare të Sirisë kanë vazhduar fushatën e tyre, të mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, për të rrethuar rebelët në qytetin më të madh të Sirisë, Alepo, dhe për të ndërprerë rrugën e tyre të furnizimit në Turqi.

Për më tepër, Turqia, gjatë javës së kaluar, i është bashkuar konfliktit, duke sulmuar milicitë kurde në Siri, të cilat kanë pushtuar territor në rajonin kufitar me Turqinë.

Turqia po ashtu ka kërkuar të mobilizojë një koalicion të vendeve që do të dërgonin forca tokësore në betejën në kufi. Arabia Saudite ka thënë se do t’i bashkohej një koalicioni të tillë.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka thënë në raportin e tij se Këshilli i Sigurimit rrallë është përballur me një zgjidhje të tillë “të zymtë”.

“Palët në Siri dhe mbështetësit e tyre mund të vazhdojnë të ndjekin logjikën e dështuar të një fitoreje ushtarake, e cila tashmë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 250,000 sirianëve, krizën më të madhe humanitare të kohës sonë dhe krijimin e territoreve të sigurta për organizatat terroriste, të tilla si grupi militant Shteti Islamik dhe Fronti Al Nusra, i lidhur me Al Kaidën”, ka thënë Ban.

Sipas tij, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, mund të përpiqen të shtensionojnë situatën dhe të rinisin negociatat për paqe.

Kombet e Bashkuara kanë planifikuar një rreth të ri të bisedimeve më 25 shkurt.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, ka ndërprerë rrethin e fundit të bisedimeve më 5 shkurt, pjesërisht për shkak të rritjes së aktiviteteve ushtarake përreth Alepos.

Të premten, gazeta suedeze Svenska Dagbladet ka cituar de Misturan të ketë thënë se rifillimi i planifikuar i bisedimeve javën e ardhshme nuk është realist.

“Neve na duhen bisedime reale për paqen, jo vetëm bisedime për bisedimet. Do të doja që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, me partnerët e tyre, të pajtohen për nisjen e armëpushimit (në Siri) në periudhën midis sot dhe mesit të javës së ardhshme. Topi tani është në fushën e tyre”, ka thënë de Mistura.

Ai po ashtu ka paralajmëruar për rrezikun që lufta në Siri të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal.

Që bisedimet të kenë sukses, Ban ka thënë se Grupi i Mbështetësve Ndërkombëtarë për Sirinë “duhet të tregojë mbështetje të sinqertë dhe të qëndrueshme”.

Ban ka përsëritur thirrjen e tij që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta referojë krizën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime, ku do të hetoheshin krimet e mundshme të luftës.

“Ata që janë përgjegjës, duhet të japin llogari për krimet e tmerrshme që vazhdojnë t’i kryejnë”, ka thënë Ban.

Një përpjekje në maj të vitit 2014 për të referuar krizën siriane në Gjykatën e Hagës është mbështetur nga 13 anëtarë të Këshillit, por ka marrë veto nga Rusia, aleati më i afërt i Sirisë, dhe Kina. (v.tela)

XS
SM
MD
LG