Ndërlidhjet

Trump, fitues i bindshëm në Nevada


Donald Trump
Donald Trump

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fituar lehtësisht në shtetin Nevada, duke forcuar udhëheqjen e tij në garën për nominimin e partisë.

Biznesmeni miliarder ka fituar në zgjedhjet paraprake edhe në Nju Hempshir dhe në Karolinën e Jugut.

Në Nevada, ai ka siguruar 46 përqind të votave, shumë më shumë se senatori i Floridës, Marco Rubio, i cili ka dalë i dyti me 24 përqind të votave dhe senatori i Teksasit, Ted Cruz, i cili ka dalë i treti me 21 përqind të votave.

“Po bëhemi gati, apo jo? Po bëhemi gati të rrëmbejmë, të rrëmbejmë të rrëmbejmë. Do të sjellim shumë para dhe gjithçka. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe. Ju them. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, ka thënë Trump.

Nevada, shtet me një popullsi të konsiderueshme latine, është vendimtare në procesin zgjedhor. Hillary Clinton i ka fituar zgjedhjet paraprake atje të shtunën, në garën e Partisë Demokratike. Ajo ka mundur rivalin e saj, Bernie Sanders, me pesë përqind të votave diferencë.

Clinton ka premtuar se ekonomia do të jetë në favor të amerikanëve të zakonshëm dhe se do t’i zhdukë të gjitha pengesat me të cilat përballen afrikano-amerikanët për shkak të racës. Sanders po ashtu e ka fokusuar fushatën e tij kundër thellimit të pabarazisë ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Trump, 69 vjeç, është zotuar se do të dëbojë miliona migrantë që jetojnë pa dokumente në Shtetet e Bashkuara, se do të ndërtojë mur në kufi me Meksikën dhe se do të vendosë ndalesë të përkohshme për të gjithë myslimanët që duan të hyjnë në SHBA.

Qëllimi i zgjedhjeve paraprake në muajt e ardhshëm është të përcaktojnë se cilët kandidatë nga të dyja partitë kryesore do të përballen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Demokratët dhe republikanët janë tani duke u përgatitur për rrethin e së ashtuquajturës “Super e marta”, më 1 mars, kur mbi dhjetë shtete do të zgjedhin kandidatët e tyre partiakë në të njëjtën ditë.

Pas këtyre votimeve, një e treta e shteteve do t’i kenë mbaruar zgjedhjet paraprake për president.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 8 nëntor. Fituesi do të pasojë presidentin aktual, Barack Obama, i cili ka shërbyer dy mandate. (v.tela)

XS
SM
MD
LG