Ndërlidhjet

Filmi “Shok” nuk ka arritur ta fitojë Oscarin

  • RFE /RL

Leonardo DiCaprio, duke pranuar çmimin për aktorin më të mirë, për filmin "The Revanant"

Filmi kosovar "Shok", me regji dhe skenar të Jamie Donoughue, nuk ka arritur të shpalletfitues i çmimit prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër "Live Action Short Film". Në këtë kategori triumfoi filmi i shkurtër irlandez, "Sttuterer".

"Shok" është filmi i parë kosovar që arriti ta fitojë një nominim për çmimin Oscar, duke shënuar kështu një arritje të madhenë historinë e kinematografisë kosovare. Ngjarja në këtë film zhvillohet gjatë periudhës së luftës në Kosovë, derisa dy shokë vënë në provë shoqërinë e tyre, gjatë luftës për mbijetesë.

Ndërkohë, në natën më të rëndësishme të filmit në botë, Leonardo Di Caprio arriti ta fitojë çmimin për aktorin më të mirë, për lojën e tij në filmin “The Revenant”. Ky ishte nominimi i tij i pestë për çmimin Oscar në këtë kategori, dhe kjo është hera e parë që ai del fitues. Në këtë film, Di Caprio portretizon një tregtar të shekullit 19-të dhe luftën e tij për mbijetesë.

Gjatë fjalimit të tij, Di Caprio foli për rëndësinë e ruajtjes së ambientit.

“Ndryshimet klimatike janë të vërteta. Kjo po ndodhë tani. Është kërcënimi më i madh që i kanoset species sonë dhe ne duhet të punojmë së bashku e të mos e shtyejmë këtë temë për më vonë. Duhet t’i përkrahim liderët tanë në gjithë botën, të cilët nuk flasin për ndotësit e mëdhenj dhe korporatat e mëdha, por për të gjithë njerëzit”, ka thënë gjatë fjalimit të tij Di Caprio.

Filmi “The Revenant” mori edhe çmimin për regjinë më të mirë, që i takoi regjistorit Alejandro Inarritu.

Nga ana tjetër, Brie Larson fitoi çmimin për aktoren më të mirë, për rolin e saj në filmin “Room”.

Çmimi për filmin më të mirë të huaj i takoi filmit “Son of Saul”, një dramë për Holokaustin, duke bërë që ky të jetë filmi i dytë hungarez që e merr këtë çmim.

Në kategorinë për dokumentarin e shkurtë më të mirë triumfoi filmi pakistanez “A Girl In The River: The Price Of Forgiveness”, i regjisores Sharmeen Obaid Chinoy. Ky film flet për viktimat e sulmeve me acid; të vrasjeve të ashtuquajtura “të nderit”, në Pakistan.

Në ceremoninë e së dielës, të mbajtur në Los Angeles, kompozitori i njohur italian, Ennio Morricone, 87 vjeçar, u shpall fitues për punën e tij në filmin e regjisorit Quentin Tarantino, “Hateful Eight”.

Për rolet dytësore, aktorja më e mirë në këtë kategori u shpall Alicia Vikander, për performancën e saj në ‘The Danish Girl”, ndërsa çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor e fitoi Mark Rylance, për lojën e tij në “Bridge of Spies”.

Në ceremoninë e 88-të të ndarjes së çmimeve Oscar, “Spotlight” u shpall filmi fitues i kësaj mbrëmjeje. Spotlight, një dramë që flet për gazetarët në Boston, të cilët zbulojnë rastet e abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë, fitoi çmimin kryesorë, për filmin më të mirë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG