Ndërlidhjet

Visar Ymeri dërgohet në gjykatë


Policia e Kosovës e ka shoqëruar për në gjykatë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në mëngjes policia ka shkuar në banesën ku jeton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe e ka shoqëruar atë në polici”, ka thënë ajo.

Tash për tash, nuk janë bërë të ditura arsyet pse është shoqëruar në polici Ymeri.

Një numër deputetësh dhe aktivistë të kësaj partie politike, kohët e fundit janë përballur me ligjin, qoftë për shkak tët sjelljeve të tyre ne Kuvendin e Kosovës dhe përdorimit të gazit lotsjellës, apo për shkak të protestave në rrugë të cilat në disa raste përfunduan edhe në dhunë dhe përplasje me policinë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate me shkrim, ka deklaruar se "urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti, ka specifikuar detyrimin për policinë, që të pandehurin V.Y me datën 02.03.2016, në ora 09:30, ta dërgojë në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Gjykatën Themelore".

XS
SM
MD
LG