Mësues, profesorë dhe edukatorë në Kosovë, po shënojnë 7 Marsin, atë që njihet si Dita e Mësuesit.
Në Kosovë, fusha e arsimit në përgjithësi vlerësohet të jetë përballë një procesi sfidues të reformimit dhe në kërkim të një niveli më cilësor të shkollimit.
Mësimdhënësit në Kosovë thonë të përballen me mungesë të mjeteve të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Kushtet të cilat janë në shkolla konsiderohet se nuk i plotësojnë të gjitha nevojat e mësimdhënies.
Hajrie Ferati për më shumë se 45 vjet ka punuar si mësuese. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se e pozita e mësuesve në ditët e sotme nuk është në nivel e duhur, por që krahasuar me të kaluarën ka përmirësime të dukshme.
“Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë aq sa duhet për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve, mësimdhënësit meritojnë më shumë. Pagat nuk janë të mjaftueshme për punën që bëjmë. Puna e mësimdhënësit është e vështirë, kushtet e punës mungojnë, nuk ka mjete të nevojshme , mungojnë kabinetet e të tjera”, thotë Ferati.
Ajo tregon për një mungesë të bashkëpunimit të mirëfilltë mes mësimdhënëseve dhe institucioneve arsimore në Kosovë, por që shprehet e kënaqur me bashkëpunimin që kanë me prindërit e nxënësve.
“Bashkëpunimi me prindër ka qenë i shkëlqyeshëm, shumë më i mirë se në të kaluarën. Trekëndëshi mësues prindër dhe shkollë, funksionon mjaft mirë. Prindërit janë mjaft të interesuar për mbarëvajtjen e procesit arsimor”, thotë ajo.
Sa i përket fushës së arsimit në Kosovë, ankesat më të mëdha, fillimisht, ishin bërë për mungesë të objekteve shkollore, mirëpo thuhet se kjo problematikë është zbutur deri më tani, derisa problemi që vazhdon ta rëndojë këtë fushë është cilësia.
Por, sipas mësueses Hajrie Ferati, cilësia në arsim është e kënaqshme, por që mbetet ende punë për tu bërë.
Në anën tjetër, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë në përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve.
“Është e vërtet që është bërë punë e madhe në ngritjen e infrastrukturës në arsim, janë ndërtuar shkolla të reja , por ato shkolla duhet të pajisen me mjete bashkëkohore. Po ashtu është e vërtetë se pagat nuk janë keqkrahasuar me të kaluarën, por që ne mendojmë se duhet bërë edhe më shumë dhe të plotësohen kërkesat që dalin nga kontrata kolektive”, shton Jasharaj.
Në Kosovë janë gjithsej 1200 objekte shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm, në të cilat mësimin e vijojnë mbi 450 mijë nxënës, nën kujdesin e mbi 23 mijë mësimdhënësve. Paga bazë për arsimin fillor është 405 euro, kurse për arsimin e mesëm është 442 euro.
Ndryshe, 7 marsi Dita e Mësuesit është zgjedhur për të shënuar këtë ngjarje për nder të hapjes së mësonjtores së parë në gjuhë shqipe në Korçë, 129 vjet më parë.
Mësuesit në Kosovë në këtë ditë nderohen për kontributin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë.