Ndërlidhjet

Opozita shqyrton largimin nga Kuvendi i Kosovës


Pamje nga seanca e 26 shkurtit, 2016
Pamje nga seanca e 26 shkurtit, 2016

Tri partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Konsultimet lidhur me vendimin final të tyre janë duke vazhduar, thonë në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka shumë faktorë, të cilët mund të ndikojnë për ta shtyrë opozitën që të largohet nga parlamenti.

"Jemi në konsultime e sipër për veprimet demokratike, të cilat duhet të ndodhin dhe si opozitë do të shfrytëzojmë mundësinë që t'i bëjmë veprimet, duke e detyruar qeverinë të tërhiqet, sepse ka bërë shkelje të renda në interes të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu ka shkelur Kushtetutën e Kosovës", tha Isufi.

Ndërkaq, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit është i panevojshëm.

Limaj thotë se opozita duhet ta trajtojë seriozisht qëndrimin në Kuvend, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

"Këto institucione janë të paligjshme, nuk kanë legjitimitet për të vazhduar qeverisjen në vend. Mendimi im është që opozita nuk ka dhe nuk do të duhej të vazhdojë me atë protestën e gazit lotsjellës në parlament, por thjesht duhet të ulet dhe të trajtojë seriozisht a ia vlen të qëndrohet me tutje në parlament apo jo, pasi ato institucione e kanë humbur legjitimitetin", tha Limaj.

Subjektet politike në opozitë, Marrëveshjen për Asociacionin, e shohin si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë interpretimin e saj mbi kushtetutshmërinë e Marrëveshjes, duke thënë se disa pjesë të saj nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Dhe derisa në AAK dhe Nisma për Kosovën thonë se janë duke e shqyrtuar bashkërisht ketë çështje edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, kjo e fundit nuk e ka pohuar e as mohuar një gjë të tillë.

As po, as jo...

Në Lëvizjen Vetëvendosje, i thanë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka një qëndrim lidhur me largimin ose jo të opozitës nga Kuvendi.

"Ajo çka mund t'ju konfirmojmë është se ne do të marrim pjesë në seancën e thirrur për 10 mars", tha Tinka Kurti nga kjo Lëvizje.

Në anën tjetër, Fatmir Limaj thekson se meqë institucionet kanë humbur legjitimitetin e vet, e vetmja zgjidhje është që vendi të shkoj në zgjedhje.

"Është e rëndësishme që opozita është e bashkuar dhe do të vazhdojë se bashku me të gjitha format e protestimit dhe largimit të kësaj qeverie, e cila është anti-kushtetuese dhe qëndrimi i qartë i opozitës është [se duhet mbajtur] zgjedhjet e parakohshme. Ne duhet të punojmë fuqishëm në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, sepse mendoj se kjo është ajo që e nxjerr vendin nga kriza", u shpreh Limaj.

Ndërkohë, partitë politike në pushtet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje atyre në opozitë që t'i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës dhe t'i lënë anash bojkotet, bllokadat dhe protestat.

Kryesia e Kuvendit ka caktuar tashmë seancën e radhës për të enjten, më 10 mars.

Por, edhe tri partitë opozitare të Kosovës kanë paralajmëruar protestë për datën më 26 mars, për të kontestuar legjitimitetin e institucioneve aktuale dhe për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

XS
SM
MD
LG