Ndërlidhjet

OKB: Fillojnë përgatitjet për bisedat paqësore për Sirinë


Staffan de Mistura
Staffan de Mistura

Kombet e Bashkuara do ta fillojnë organizimin e bisedave “substanciale” paqësore ndërmjet qeverisë së Sirisë dhe opozitës, jo më larg se më 14 mars, por përgatitjet për ripërtritjen e këtyre bisedave nisin sot në Gjenevë, ka thënë zëdhënësja e OKB-së, Jessy Chahine.

Vazhdimi i bisedimeve paqësore është bërë i mundshëm nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, që ka hyrë në fuqi më 27 shkurt.

Kjo marrëveshje, në pjesën më të madhe, ishte e kufizuar dhe provuese, por ajo kryesisht është respektuar.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, gjatë ditës së sotme pritet t’i filloj bisedimet përgatitore me forcën monitoruese të armëpushimit dhe përpjekjeve për dërgimin e ndihmave humanitare.

Por, aktualisht, çështjet logjistike e kanë parandaluar shumicën e delegacioneve të arrijnë në Gjenevë, deri në fundjavë, ka thënë zëdhënësja Chahine.

Liderët opozitarë sirianë e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e sërishme në bisedime paqësore, prandaj ardhja e tyre ende nuk është e sigurt.

Jessy Chahine tha se bisedat paqësore do të vazhdojnë “në sistemin shkallë-shkallë dhe nga afër”, që do të thotë se ato do të zhvillohen në vende të ndryshme dhe jo ballë për ballë.

XS
SM
MD
LG