Ndërlidhjet

Kerry ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve për Sirinë


John Kerry (djathtas) dhe Jean-Marc Ayrault gjatë konferencës për shtyp sot në Paris
John Kerry (djathtas) dhe Jean-Marc Ayrault gjatë konferencës për shtyp sot në Paris

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, sot ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve paqësore për Sirinë, pas takimeve me ministrin e jashtëm të Francës dhe me diplomatët e lartë evropianë.

Në takimin në Paris, i kryesuar nga ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Britanisë, Gjermanisë dhe Italisë, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Ky takim u organizuar para bisedimeve paqësore indirekte për Sirinë, nesër në Gjenevë të Zvicrës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, John Kerry tha se e pret “vazhdimin e nesërm të bisedimeve në Gjenevë”.

Mëtutje, ai i ka tërhequr vërejtjen regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe aleatëve, që të mos e shfrytëzojnë armëpushimin., i cili ishte arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Zoti Kerry tha se militantët e Shtetit Islamik në Siri po dobësohen.

“Në Siri gjatë tri javëve të fundit, Daesh ka humbur 3 mijë kilometra katrorë dhe 600 luftëtarë”, tha Kerry duke e përdorë emrin arab për grupin ekstremist, Shteti Islamik.

I dërguari për Sirinë i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, ka thënë se takimet për paqe në Gjenevë nuk do të zgjasin më tepër se 10 ditë.

Në marrëveshjen për ndaljen e armiqësive në Siri nuk janë të përfshirë militantët e Shtetit Islamik dhe ata të al-Kaidës.

XS
SM
MD
LG