Ndërlidhjet

Misioni i KE-së fokusohet në demarkacionin dhe drejtësinë


Misioni faktmbledhës i ekspertëve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga zyrtarët e Komisionit Evropian, tashmë ka verifikuar gjendjen faktike në Kosovë, lidhur me përmbushjen e kushteve në kuadër të tetë rekomandimeve që ky komision ka dhënë për Kosovën, për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash.

Zyrtarët e Ministrisë së Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, vlerësojnë se ky mision ka gjetur rezultatet e nevojshme në fushat përkatëse.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur kushtet në kuadër të tetë rekomandimeve, por sipas tij, gjithashtu kanë dhënë edhe arsyetimet objektive për dy fusha përkatëse, në të cilat misioni vlerësues ka vënë theksin.

Sipas tij, theksi është vënë në çështjen e zbatimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe për çështjen e rekomandimit për vendime finale kundër korrupsionit.

Zëvendësministri Ilazi, thotë se lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i janë dhënë sqarimet misionit vlerësues se çështja është zvarritur për shkak të kritikave dhe ankesave ndaj këtij procesi, gjë që ka rezultuar me formimin e një komisioni ndërkombëtar për verifikimin e marrëveshjes nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, siç ka thënë ai, lidhur me çështjen e sundimit të ligjit, tashmë janë bërë një varg ndërhyrjesh.

“Është rritur numri i gjyqtarëve në Departamentin e krimeve serioze dhe po ashtu, janë vënë si parësore lëndët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mirëpo, kjo është një punë që kërkon gjithmonë vëmendje".

"Por, përveç këtyre dy çështjeve, të cilat ekipi faktmbledhës besoj që i ka marrë arsyetimet objektive, çështjet e tjera, të cilat janë adresuar në raportin e 13 dhjetorit (raporti i fundit i Komisionit Evropian), janë përmbushur nga ana e institucioneve të Kosovës dhe ne nuk presim tani që përmbushja e kushteve të jetë pengesë që Komisioni Evropian të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Zëvendësministri Ilazi, ka shtuar se të dy këto çështje nuk e pengojnë rekomandimin eventual pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën nga Komisioni Evropian, për faktin se përmbyllja e tyre është proces, që do të përfundojnë deri në momentin kur do të hynte në fuqi vendimi për liberalizim vizash.

Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se Kosova është dashur të tregohet e kujdesshme në përmbushjen e kushteve brenda tetë kritereve.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson se çështja e demarkacionit me malin e Zi , por edhe ajo e drejtësisë mund të arsyetohen. Por, siç thotë ai, çështja e prokurimit publik, ende çalon.

“Mendoj që çështja e prokurimit është një dështim i institucioneve tona. Për t’i miratuar ligjet konkrete, ndryshimin e ligjit konkret, kjo do t’iu vishet institucioneve tona".

"E njëjta vlen edhe për çështjen e drejtësisë. Mirëpo, unë mendoj që çështja e atyre që ndërlidhen me drejtësinë , kërkon një konsistencë dhe angazhim më afatgjatë, kështu që ato nuk duhet të shihen dhe ndërlidhen assesi me procesin e liberalizimit të vizave. Sundimi i ligjit në Kosovë do të marrë vite të tëra. Nëse do të lidhej vetëm me këtë kriter, atëherë për ta merituar kohë shumë më tepër se sa një mision i Komisionit Evropian”.

Në anën tjetër, zëvendësministri Ilazi, thotë se kushtet që ndërlidhen me çështjen e prokurimit publik, janë plotësuar. Sipas tij, për të siguruar pavarësinë funksionale të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), gjë që ishte një nga rekomandimet e Komisionit Evropian, është bërë ndryshimi i Ligjit për prokurimin publik, ku procedurat e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të OSHP-së janë vendosur në bazë të rekomandimeve të Komisionit Evropian.

“Sa i përket fushës së prokurimit, ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret që i janë kërkuar Kosovës. Këtë rekomandim ne e konsiderojmë të përmbyllur, sikurse edhe rekomandimet tjera që kanë qenë në proces”.

Por, çështjen nëse Kosova do ta marrë kësaj radhe rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash, sipas profesor Ujkani duhet parë nga këndvështrimi i vendeve evropiane.

“E para është që pritjet janë të mëdha që të ketë një vlerësim pozitiv. Mirëpo, kur e shikojmë në një rrafsh më të gjerë, do të thotë, zhvillimet e brendshme në BE dhe veçanërisht lufta ndaj terrorizmit ose rreziku në rritje e sipër nga terrorizmi, e zbehin edhe vet interesin e shteteve anëtare, sepse kjo duhet të votohet në Këshill".

"Prandaj, mendoj që nga ky pikëvështrim, ndoshta, këto do të ishin ato pengesat kryesore. Përndryshe, mendoj që institucionet dhe Kosova, më në fund, e meritojnë që ta kenë një vlerësim pozitiv në këtë drejtim”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës presin që i ngarkuari me punë i Komisionit Evropian për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, pritet që gjatë muajit prill të vijë në Kosovë dhe ta bëjë të ditur vlerësimin nëse Kosova i ka përmbushur kriteret për të marrë liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG