Ndërlidhjet

Rusia bojkoton Samitin për Siguri Bërthamore


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Kur dhjetëra udhëheqës botërorë dhe delegacione të nivelit të lartë të mblidhen këtë javë në Uashington për të diskutuar se si të mbrohen më mirë materialet bërthamore nga terroristët, zyrtarët nga një fuqi bërthamore nuk do të jenë atje.

Rusia, e cila ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, nuk do të përfaqësohet në Samitin e Sigurisë Bërthamore, që hap punimet më 31 mars.

Bojkotimi i samitit, i cili është i katërti dhe ndoshta përpjekja e fundit në nivel kaq të lartë për të parandaluar grupet terroriste nga sigurimi i materialeve bërthamore, ka shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në mesin e zyrtarëve dhe analistëve në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.

“Ky është një imazh i përzier, kjo është gjëja më e mirë që mund të them. Ka fusha të bashkëpunimit shumë të shëndoshë me Rusinë, ku bëjmë përparim të vazhdueshëm. Por, në disa fusha të tjera, ne çuditemi. Përse, për shembull, Rusia nuk do të përfaqësohet në Samitin për Siguri Bërthamore këtu në Uashington”, thotë Rose Gottemoeller, zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit për traktatet e kontrollit të armëve.

Ben Rhodes, zyrtar i lartë i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se vendimi i Rusisë është një “mundësi e humbur”.

“Sinqerisht, e gjithë kjo që po bëjnë, është izolim i vetes”, ka thënë Rhodes.

Vendimi i Rusisë për të mos marrë pjesë në samit është “pa dyshim një shqetësim”, thotë në anën tjetër Kingston Reif, analist i çështjeve bërthamore dhe të mbrojtjes në Shoqatën për Kontrollin e Armëve, një organizatë kërkimore me seli në Uashington.

“Nuk është se Rusia ka vendosur se siguria e materialit bërthamor nuk është më diçka ku duhet fokusuar, ose diçka që duhet të merret seriozisht. Por, kjo ngre pyetje në lidhje me Rusinë, gatishmërinë e saj për të ecur përpara, për të punuar me vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të siguruar se terroristët nuk mund t’i marrin në duart e tyre materialet radiologjike”, thotë Reif.

Shumë ekspertë të sigurisë bërthamore thonë se samitet kanë ndihmuar të rrisin vëmendjen mbi problemin dhe kanë promovuar masa konkrete në dhjetëra vende.

Këto masa kanë përfshirë largimin e uraniumit të pasuruar nga 12 vende. Kjo substancë mund të përdoret për krijimin e bombave të ngjashme me atë që është hedhur në Hiroshimë.

Në një koment të publikuar më 28 mars, Kelsey Davenport, ekspert për mospërhapjen bërthamore, po ashtu në Shoqatën për Kontrollin e Armëve, ka thënë se mungesa e Rusisë në samit është shqetësuese, sidomos pas një incidenti të kohëve të fundit në ish-shtetin sovjetik të Moldavisë, i cili ka përfshirë kontrabandën e armëve bërthamore, që mund ta kenë origjinën në Rusi.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar dukshëm prejse Moska ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Krimenë e Ukrainës, në vitin 2014.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG