Ndërlidhjet

Shahisti rus nga Krimeja mbron qëndrimet e tij politike


Mjeshtri i shahut, Sergei Karyakin, 28 mars 2016, Moskë
Mjeshtri i shahut, Sergei Karyakin, 28 mars 2016, Moskë

Ylli i shahut rus, i lindur në Krime, Sergei Karyakin, pasi këto ditë fitoi në turneun e kandidatëve për kampion botëror në Moskë, tash synon titullin më të lartë – atë të kampionit botëror.

Kampion aktual botëror është gjeniu nga Norvegjia, Magnus Carlsen, kështu që në Nju Jork, në muajin nëntor, do të takohen të dy gjigantët aktualë të shahut në botë.

Kryemjeshtri Sergei Karyakin, në lojën vendimtare në xhiron e fundit të turneut të kandidatëve, e mundi amerikanin Fabiano Caruana, dhe u bë përfaqësuesi i parë i Rusisë që luan në finale për kampion botëror, prej vitit 2008, kur pati luajtur Vladimir Kramnik.

Karyakin, i lindur në Simferopol të Krimesë, në vitin 1990, thotë se është krenar që ka fituar në emër të Rusisë, të cilën ai e përfaqëson prej vitit 2009, pasi më parë ka luajtur për Ukrainën. Në korrik të vitit 2009, presidenti i atëhershëm i Rusisë, Dmitry Medvedev, me dekret i dha Karyakinit shtetësi ruse.

Segrei Karyakin thotë se vendosi të luajë për Rusinë, pasi në Ukrainë nuk kishte mbështetje.

“Ideja ishte ajo që prej vitit 2003 e deri në vitin 2009 nuk kishte absolutisht mbështejte, nuk kishte sponzorë dhe njerëz që do të mund të më ndihmonin. Në atë kohë më nevojitej ndihma nga sponzorët, ndihma e trajnerëve të kualifikuar."

"Federata e Shahut e Rusisë, pasi zbuloi se kisha probleme, në mënyrë miqësore më ofroi mundësi të punoj me trajnerë të fortë. Pastaj kalova në Moskë. Kjo ndodhi në vitin 2009. Prej atëherë unë jam i vendosur në Moskë”, tha Sergei Karyakin.

Në vendin e tij të ri, ai u shndërrua në mbështetës të fuqishëm të Kremlinit dhe politikës ruse në Ukrainë.

Në Ukrainë, pastaj, kanë ndodhur zhvillime dramatike: revolucioni për përmbysjen e presidentit të mbështetur nga Moska, aneksimi me forcë i Krimesë nga ana e Rusisë, dhe lufta ndërmjet forcave të qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës. Nga ky konflikt janë vrarë më se 9 mijë njerëz.

Pas operacionit të Rusisë në Krime, shahisti Sergei Karyakin, e ka postuar fotografinë e tij në Instagram, me një fanelë me fotografinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe me mbishkrimin: “ne nuk i lëmë prapa njerëzit tanë”.

“Unë rreshtohem krejtësisht me Rusinë, pasi Krimeja, siç e dini, është trasnferuar te Rusia. Aktualisht unë jam ekstremisht i lumtur për këtë gjë, pasi gjithnjë vetveten e kam konsideruar rus. Flas rusisht, mendoj rusisht, pra, jam në tërësi person rus dhe në tërësi e mbështes Rusinë si shtet”, i tha Radios Evropa e Lirë, Sergei Karyakin.

Për Putinin thotë se “absolutisht e mbështetë në çdo gjë që ai bën”.

Mëtutje, Karyakin shprehet se i vie keq për vështirësitë me të cilat ballafaqohen ish-bashkështetasit e tij në Ukrainë.

“Mendoj se kriza në Ukrainë është një çështje tjetër, për të cilën ne mund të flasim për një kohë të gjatë. Por, mund të them se asnjëherë nuk ka pasur revolucion që ka çuar në jetë më të mirë. Natyrisht, ishte një president dhe njerëzit jetonin në varfëri, por së paku ishte një jetë mesatare."

"Prej revolucionit, çdo gjë është përkeqësuar. Me keqardhje të madhe e shoh këtë mjerim që ka ndodhur. Njerëzit që nuk e kanë mbështetur këtë revolucion janë shndërruar në pengje, në kuptimin që ata që e mbështetën atë, kanë përdorur forcë për të ndodhur kjo. Sinqerisht më vjen keq për ata, por fatkeqësisht asgjë nuk mund të bëj”, thekson Karyakin.

Ky yll i ri i shahut, po ashtu, ishte rreshtuar me Kremlinin edhe në çështje të tjera.

Ai e ka mbështetur kandidatin e preferuar të presidencës ruse për zgjedhjet për kryetar të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE) në vitin 2014. Kandidati i preferuar i Kremlinit, Kirsan Ilyumzhinov, politikan provincial rus, i cili prej vitit 1995 ishte në krye të FIDE-s, triumfoi kundër legjendës ruse të shahut, Gary Kasparov, njëherësh kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në komentet e tij për agjencinë TASS, Karyakin e ka lavdëruar Ilyumzhinovin për popullarizim të shahut, ndërsa e ka kritikuar Kasparovin se është menaxher i dobët dhe se ka “pikëpamje shumë radikale”, duke iu referuar aktivitetit të Kasparovit si njëri nga liderët e opozitës politike ruse.

Sergei Karyakin i kishte vetëm 12 vjet e shtatë muaj, kur në gusht të vitit 2002, u bë kryemjeshtri më i ri në historinë e shahut.

Pas fitores në turneun e kandidatëve në Moskë, tash vëmendja e tij është e fokusuar në takimin final kundër kampionit aktual botëror, Magnus Carlsen, që zhvillohet në muajin nëntor në Nju Jork.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG