Ndërlidhjet

SHBA shqyrton lehtësira për Iranin në përdorimin e dollarit


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët e adminsitratës së Barack Obamës po e konsiderojnë mundësinë e lehtësimit të kufizimeve që e ndalojnë përdorimin e dollarit amerikan në marrëveshjet biznesore me Iranin, për të siguruar se Teherani përfiton nga lehtësirat ekonomike që i janë premtuar, bazuar në marrëveshjen bërthamore që ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Ky veprim nuk është zyrtarizuar ende, por lajmi është zbuluar për agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press të enjtën nga zyrtarë anonimë, të cilët thanë se Departamenti amerikan i Thesarit po i konsideron mundësitë e lejimit të bankave jashtë SHBA-ve që të kenë qasje të limituar në valutën amerikane, për të përkrahur marrëveshjet legjitime biznesore me Iranin.

Një vendim i tillë me gjasë do ta ndihmonte ekonominë e trazuar të Iranit. Teherani është ankuar se kufizimet e SHBA-së ndaj bankave tëIranit, që ende janë duke vazhduar, e kanë pamundësuar përfitimin e plotë të lehtësirave ekonomike, të cilat parashihej të vinin pas tërheqjes së sanksioneve ndaj Iranit, në janar të këtij viti.

Ky veprim do të ishte i diskutueshëm në Kongres, ku republikanët dhe disa demokratë thonë se administrata ka premtuar mbajtjen e ndalesave kufizuese në dollarin amerikan ndaj Iranit, bashkë me dënimet e tjera që nuk kanë lidhje me çështjen bërthamore, kur [adminsitrata] kishte kërkuar miratimin e Kongresit për marrëveshjen bërthamore vitin e kaluar.

“Këto raporte janë shumë shqetësuese”, ka thënë të enjten Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

“Përderisa Irani vazhdon ta dëmtojë frymën e marrëveshjes bërthamore me testet raketore, administrata e Obamës po del nga rruga e saj për ta ndihmuar Teheranin në rihapje të biznesit. Presidenti duhet ta braktisë këtë ide”, ka thënë Ryan.

Marrëveshja bërthamore i siguroi Iranit miliona dollarë nga lehtësimet e sanksioneve, për kufizimin e programeve të tij që mund të çojnë në armë bërthamore. Por, iranianët thonë se ata nuk kanë përfituar aq sa e kishin paramenduar, për shkak se kufizimet e tjera amerikane lidhen me shqetësimet për të drejtat e njeriut, terrorizmin, dhe zhvillimin e raketave.

Për shkak të statusit të tij si valutë dominuese në botë, dollari shpesh përdoret në tregtinë globale, veçanërisht në shkëmbimin e parave. Ekonomia e Iranit varet në masë të madhe nga eksportet e naftës, por pothuajse të gjitha shitjet globale të naftës janë të shprehura në dollarë amerikanë.

Dominimi i dollarit nënkupton se një pjesë e madhe e marrëveshjeve globale duhet të kalojnë përmes sistemit financiar amerikan, ndoshta edhe vetëm kalimthi, kur bëhen pagesat.

Por, politikat aktuale amerikane përjashtojnë bankat e huaja nga çbllokimi i transaksioneve, që për bazë kanë dollarin, përmes bankave amerikane.

Kjo ka bërë që bankat evropiane dhe aziatike të jenë të kujdesshme kur fillojnë biznese me Iranin, veçanërisht sepse rregullatorët amerikanë kanë vëna miliarda dollarë në gjoba gjatë viteve të fundit kundër bankave të mëdha evropiane, për shkelje të kufizimeve amerikane.

Kjo gjë do të ndryshonte nëse adminstrata amerikane lehtëson këto kufizime. Një gjë që mund të bëhet, sipas ekspertëve, do të ishte lëshimi i një licence nga Thesari amerikan, që do t’i lejonte bankat amerikane për të dërguar dollarë në një vend jashtë SHBA-ve, prej nga bankat e huaja dhe që nuk janë nga Irani, do të mund të tërhiqnin dollarë, për të realizuar marrëveshje të ligjshme tregtare me Iranin.

Ndalesa do të vazhdonte të aplikohej, nëse pagesa përfundimtare do t’i drejtohej një individi ose biznesi iranian, që ndodhen në listën e zezë të sanksioneve të SHBA-ve.

Gjatë një fjalimi të mbajtur me 30 mars, lidhur me politikat amerikane të sanksioneve, sekretari amerikan i Thesarit, Jacob Lew paralajmëroi se sanksionet ekonomike rrezikojnë lëndimin e ekonomisë amerikane dhe i largojnë vendet e tjera që mbështeten në dollarin amerikan, si monedhë rezervë në botë.

Ai sugjeronte se vendet dhe bizneset e tjera mund të fillojnë të përdorin valuta të tjera, përveç dollarit, kur nisin biznese të reja, për t’iu shmangur kufizimeve amerikane, një zhvillim që, sipas tij, do të çonte eventualisht në zvogëlimin e rolit të dollarit në financat globale.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG