Ndërlidhjet

Dokumentohet rrjeti i parave të dyshuara të ndihmësve të Putinit


Një grup ndërkombëtar i reporterëve investigativë e ka dokumentuar një rrjet të gjërë të transferit të parave të dyshuara nga bashkëpunëtorët e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që i kanë drejtuar më se 2 miliardë dollarë në kompanitë e regjistruara jashtë (offshore).

Ky informacion është publikuar më 3 prill në kuadër të një raporti të ri të gjërë, të quajtur Panama Papers, në të cilin shqyrtohen dhjetëra liderë botërorë dhe zyrtarë publik në gjithë botën, sistemi i transferit të parave dhe regjistrat sekretë të ndërmarrjeve, që kanë mundësuar që shuma të mëdha të parave, shpeshherë me prejardhje të dyshimtë, të fshehen nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe rregullatorët.

Ky material, i publikuar në mënyrë simultane nga shumë organizata mediale në shumë gjuhë, po ashtu, i ka ndërlidhur këto kompani me kryeministrat e Islandës dhe Pakistanit, fëmijët e presidentit të Azerbajxhanit, mbretin e Arabisë Saudite, dhe shumë të tjerë.

Këto informacione dalin nga miliona emaila, tabela të ndryshme, shënime të korporatave dhe materiale të tjera që kanë rrjedhur nga Mossack Fonseca, që është firmë juridike me seli në Panama, me përfaqësues në dhjetëra vende, të specializuar për krijimin e kompanive-mburoja, theksohet në raport.

Të dhënat që kanë rrjedhur fillimisht ishin paraqitur nga e përditshmja gjermane, Suddeutsche Zeitung. Këto shënime pastaj ishin ndarë me Konzorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), me seli në Uashington, që ka bashkëpunuar me mediat në gjithë botën gjatë periudhës njëvjeçare, për të organizuar, analizuar dhe publikuar materialet.

Gjithsej 140 liderë dhe zyrtarë publikë janë paraqitur në materialet që kanë rrjedhur, së bashku me më tepër se 210 mijë entitete të korporatave. Materialet përfshijnë një periudhë gati 40 vjeçare, thuhet në raport.

Në tekstin shoqërues, ICIJ thotë se shumë kompani komplekse me seli në vendet e jashtme (offshore) dhe transakcionet e përdorura, ishin konsideruar legale, nëse do të shfrytëzoheshin nga individët dhe entitetet që i nënshtrohen ligjit.

Por, theksohet se bankat, firmat juridike dhe të tjerat, të involvuara në krijimin e kompanive-mburoja shpeshherë kanë dështuar që të zhvillojnë hetime në mënyrë të plotë për klientët, që të jenë të sigurt se ata nuk ishin të involvuar në aktivitet ilegal, në shmangie të tatimeve ose korrupsion.

Në mesin e pohimeve të raportit është edhe ai se një muzikant nga Shën Petersburgu, i cili është mik i vjetër i Putinit, i ka tubuar 100 milionë dollarë pasuri. Ky perosn, së bashku me violonçelistin, Sergei Roldugin, ishte pronar i 12.5% të aksioneve në një kompani që dominonte në tregun për shpallje televizive në Rusi. Roldugin, po ashtu, i kishte 3.2% të aksioneve në Bank Rossiya.

Kjo bankë, nga ana tjetër, ishte nën kontroll të një shoku tjetër të Putinit, biznesmenit Yury Kovalchuk, i cili së bashku me bankën, është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë, në vitin 2014.

Raporti thotë se Kovalçik dhe banka e tij e kanë përdorë një entitet në Qipro, i njohur si Sandalwook, për të marrë afro një milion dollarë, në kredi të pasigurta nga kjo bankë që kontrollohet nga shteti.

Këto fonde pastaj janë shfrytëzuar për të dhënë kredi me shkallë të lartë të interesit në Rusi, ndërsa një pjesë e profitit ka përfunduar në xhirollogaritë e bankave në Zvicër.

Sandalwood, po ashtu, kishte lidhje financiare me një qendër të skijimit në rajonin Shën Petersburg, ku vajza e Putinit, Katerina, ishte martuar, raporton Panama Papers.

Mediat ruse, po ashtu, e kanë identifikuar personin, Sergei Roldugin, si kumbar i vajzës tjetër të Putinit, Maria.

Shumë zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë në qeverinë e Rusisë, po ashtu, ishin të involvuar në dokumentet që kanë rrjedhur.

Bashkëshortja e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, djali i ministrit për zhvillim ekonomik, Aleksei Ulyukayev, ish-zyrtari i administratës presidenciale, Ivan Malyushin, zëvendësprefekti i Moskës, Maksim Liksutov, nipi i sekretearit të Këshillit të sigurisë, Nikolai Petrushev, djali i zëvendësministrit të brendshëm, Igor Zubov, pastaj bashkëshortja e guvernatorit të rajonit Pskov, Andrei Turchak, guvernatori i rajonit Çelabinks, Boris Dubrovsky, ishin të lidhur me kompani të ndryshme.

Katër anëtarë të Parlamentit të Rusisë, po ashtu, janë të implikuar.

Autorët e raportit thonë se ata kanë kërkuar koment nga Kremlini, por ishin refuzuar.

Javën e kaluar, megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve rusë se reporterët e jashtëm po përgatiteshin për ta njollosur Putinin, duke e emëruar në mënyrë specifike ICIJ-në.

Shefat e tjerë të shteteve, emrat e të cilëve paraqiten direkt ose indirekt në raport, përfshijnë presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe presidentin e Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG