Ndërlidhjet

Mbështetje e pjesshme vazhdimit të mandatit të EULEX-it


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Përfaqësuesit e partive politike në Kosovës kanë mendime të ndryshme kur bëhet fjalë për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX.

Sipas vendimit paraprak ky mision do të duhej të përmbyllte mandatin më 12 qershor të këtij viti. Por, megjithatë, mbetet të shihet nëse Bashkimi Evropian do të kërkoj nga institucionet e Kosovës edhe dy vjet tjera shtesë për vazhdimin e punës së EULEX-it.

Partitë politike ndajnë mendime të ndryshme rreth vazhdimit apo jo të mandatit të EULEX-it.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, që përbën partinë më të madhe në pushtet, thonë se pavarësisht që EULEX-i nuk është treguar mjaft efikas në punën e tij, Kosova ka nevojë ende për mbështetje dhe përkrahje nga ky mision.

Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se për disa raste të veçanta ky mision i nevojitet ende Kosovës.

"Ne konsiderojmë që është e nevojshme që EULEX-i edhe për një kohë të qëndrojë këtu, veçmas kur kemi të bëjmë edhe me Gjykatën Speciale e cila pritet të aktivizohet së shpejti. Ky mision nuk është i dështuar plotësisht. Ka pasur raste ku nuk ka pasur sukses të plotë, por për disa raste të veçanta do të duhej ta kishim ende këtu", ka thënë Musmurati.

Nga ana tjetër, në partinë më të madhe opozitare, në Lëvizjen Vetëvendosje, shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca konsideron se mandati i këtij misioni duhet të përfundojë në qershor të këtij viti.

"EULEX-i nuk ka pasur rezultate konkrete, bile ka përfunduar edhe me shumë skandale dhe me afera të brendshme të korrupsionit. Kështu që dy herë ju ka shtyrë mandati; një herë në vitin 2012 dhe prej vitit 2012 për dy vite me radhë në vitin 2014 dhe nga 2014 në vitin 2016. Edhe një herë po t'i shtoheshin edhe dy vite do të ishte plotësisht e papranueshme”, thekson Konjufca.

Sipas tij, politikanët evropianë duhet ta ri-konsiderojnë këtë çështje, ngase “përveç shpenzimit të miliona eurove” në terren nuk janë parë shumë rezultate.

Bazuar në mandatin aktual, EULEX-i do të vazhdojë mentorimin dhe këshillimin e institucioneve lokale të sundimit të ligjit deri në qershor 2016. Kurse për zgjatjet e mëtejme të mandatit duhet të jenë në pajtueshmëri me Kuvendin e Kosovës.

Kujtim Kërveshi njohës i sistemit të drejtësisë, vlerëson se misioni i EULEX-it pavarësisht. siç i quan ai, defekteve dhe që, sipas tij, shpesh herë i ngjason me shumë një misioni politik sesa të sundimit të ligjit, “është i nevojshëm për Kosovën”.

Kjo për faktin se institucionet e drejtësisë në Kosovë, sipas Kërveshit, kanë nevojë për mbikëqyrje dhe këshilla nga një mision i jashtëm profesional së paku edhe për një kohë të konsiderueshme.

"Institucionet e sundimit të ligjit në vendin tonë janë te papërgatitura të ballafaqohen me çështje të rëndësisë së lartë dhe të ndërlikuara. Konsideroj gjithashtu se reduktimi i misionit të EULEX-it në përgjegjësitë ekzekutive duke i bartur ato në institucionet vendore ka qenë një hap i ngutshëm dhe i pa studiuar sa duhet nga autoritetet përgjegjëse".

"Ju rikujtoj se ne disa nga rastet me të bujshme të proceduara para drejtësisë kanë qenë pikërisht raste të përgatitura nga misioni EULEX. Është pak e besueshme se të njëjtat çështje do të procedoheshin pa këtë mision", deklaron Kërveshi.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u themelua në 2008 për të mbështetur, ndihmuar dhe mentoruar institucionet e Kosovës, sidomos ato të drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG