Ndërlidhjet

Putin: Perëndimi po mundohet ta destabilizojë Rusinë përmes ‘Letrave të Panamasë”


Presidenti rus, Vladimir Putin duke folur në Shën Petërsburg për 'Letrat e Panamasë', 7 prill 2016
Presidenti rus, Vladimir Putin duke folur në Shën Petërsburg për 'Letrat e Panamasë', 7 prill 2016

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë shaka me rrjedhjen e dokumenteve ligjore dhe financiare, të njohura si ‘Letrat e Panamasë’, të cilat thuhet se kanë përfshirë shumë njerëz të afërt me të. Ai ka thënë se kjo është pjesë e një fushate të qeverive të Perëndimit, për ta destabilizuar Rusinë.

Në komentet e tij të para, pas publikimit të artikujve të parë nga organizata mediale më 3 prill, bazuar në dokumentet e rrjedhura, Putin ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me llogaritë jashtë vendit, disa prej të cilave, sipas raportit, janë përdorur për të fshehur pasuri të mëdha.

“Kundërshtarët tanë janë të brengosur nga konsolidimi dhe uniteti i kombit rus, nga qytetarët rusë shumetnikë”, ka thënë ai më 7 prill, gjatë një forumi në Shën Petërsburg, me gazetarë lokalë e rajonalë. "Ata po përpiqen të na lëkundin nga brenda, të na bëjnë më të bindur", ka thënë Putin.

Në mesin e emrave që thuhet të jenë të përfshirë në ‘Letrat e Panamasë’ është edhe violonçelisti Sergei Roldugin, një mik i vjetër i Putinit, i cili thuhet se është edhe kumbara i njërës prej vajzave të Putinit. Raportet e mediave, të bazuara në ‘Letrat e Panamasë’, thonë se Roldugin mban qindra miliona dollarë jashtë vendit.

Putini tha se ai “mburret” me mikun e tij Roldugin.

“Roldugin ka shpenzuar pothuajse të gjitha paratë që ka fituar duke blerë instrumente muzikore jashtë vendit, të cilat i ka sjellë në Rusi”, ka thënë Putin.

“Kur dikush bën gjëra të tilla, ne mirëpresim këso veprimesh, por ai e ka tejkaluar masën”, ka shtuar Putin. “Unë e di se ai që disa muaj është duke u marrë me regjistrimin e instrumenteve, si pronë e financuar nga qeveria”, ka shpjeguar Putin.

Emri i Putinit nuk ndodhet në listën prej më shumë se 11.5 milion dokumenteve të rrjedhura nga një firmë ligjore nga Panamaja, e quajtur Mossack Fonseca, bazuar në raportet e organizatave mediale që kanë qasje në këto materiale. Këtë element e ka përmendur edhe Putini.

“Shërbëtori juaj i përulur nuk është pjesë e këtyre dokumenteve, kështu që nuk kemi pse flasim për to”, ka thënë Putin.

“Sidoqoftë, ekziston një qëllim në gjithë këtë. Çfarë kanë bërë? Ata kanë prodhuar një produkt informativ. Ata kanë hulumtuar për disa miq e të afërm që kam. Unë do të flas për ta gjithashtu. Ata kanë ngacmuar aty-këtu dhe kanë përzier diçka”, ka vazhduar më tutje Putin.

Kremlini shpesh kritikon atë që e quan fushatë sistematike të qeverive dhe mediave perëndimore, për ta dëmtuar Rusinë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para disa ditësh kishte thënë se këto janë përpjekje për ta njollosur Putinit dhe për ta prishur procesin e zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të mbahen në shtator.

Ndërsa, duke folur në Shën Petërsburg, Putini sugjeroi se qeveria amerikane mund të jetë prapa këtij skandali, dhe ai iu referua një postimi të 6 prillit në Tweeter, nga WikLeaks, organizatës që orkestroi një rrjedhje masive të dokumenteve të departamentit shtetërore amerikan, në vitin 2010.

WikiLeaks sugjeronte se qeveria amerikane ishte e përfshirë, pasi njëri nga partnerët e “Letrave të Panamasë” – si pjesë e Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – kishte pranuar fonde nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në mesin e shumë burimeve tjera financiare.

“WikiLeaks ka treguar se prapa, le të themi, çështjes së ‘Letrave të Panamasë, qëndrojnë zyrtarë dhe agjenci të caktuara amerikane”, tha Putin.

Në Uashington, zyrtarët amerikanë kanë mohuar të jenë të përfshirë në rrjedhjen e këtyre dokumenteve.

Ndërkohë, projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me bazë në Sarajevë, gjithashtu ka mohuar se ndonjë qeveri është e përfshirë, duke thënë se USAID-i ishte vetëm njëri prej burimeve të financimit dhe se pranimi i parave nga qeveria ishte i rëndësishëm për realizimin e projekteve në rajon, ku ka pak donatorë.

Ju mund ta shihni edhe këtë video:

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG