Ndërlidhjet

Diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara


Ilustrim
Ilustrim

Të jetosh me aftësi të kufizuar është sfidë. Vështirësitë shtohen kur në shoqëri ndjehesh i diskriminuar, qoftë në arsimim, punësim apo edhe në lëvizje të lirë, si mungesë e infrastrukturës së duhur, thonë persona me aftësi të kufizuar në Kosovë.

Tashmë në shumë vende të botës, aftësitë e kufizuara nuk nënkuptojnë që këta persona nuk mund të punojnë dhe kontribuojnë për familjen dhe shoqërinë. Por, ata më shumë kanë nevojë për përkrahje institucionale.

Hajdin Mehmeti është 47 vjeçar dhe jeton në Prishtinë. Ai ka aftësi të kufizuara. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ndonëse është mbajtës i familjes, ai është i papunë.

Ka punuar për 10 vjet me radhë si shofer në organizatën për persona me aftësi të kufizuara, ‘’Hendikos’’. Por tash e disa vjet nuk po mund të gjejë një vend pune, ndonëse ndjehet i aftë për punë.

“Unë jam i aftë për punë, por nuk po mund të punësohem. Ligji për personat me aftësi të kufizuara ndonëse është i miratuar, ai nuk po respektohet dhe unë nuk po mund të punësohem”.

“Unë kam punuar për 10 vjet si shofer në Hendikos, dhe jam paguar nga donacionet e huaja. Por, tash jam i papunë, unë dhe bashkëshortja. Jetoj me pensionin invalidor, dhe familja më ndihmon ngapak’’, thekson Mehmeti.

Në Qeverinë e Kosovës, në zyrën për qeverisje të mirë, Habit Hajredini ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjendja aktuale e personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi lë për të dëshiruar, ndonëse ndër vite është punuar për këtë kategori të shoqërisë.

“Gjendja aktuale e personave me aftësi të kufizuara nuk është e kënaqshme dhe nuk është e mirë, ndonëse ka lëvizje pozitive. Edhe pse janë hartuar politika adekuate që adresojnë çështje për të drejtat e tyre, ende ka sfida në progresin e mirëfilltë. Ajo që ne shohin si lëvizje pozitive, e kemi arritur në disa pika, si tek personat e shurdhër, ku është bërë funksionale gjuha e shenjave’’, ka thënë Hajredini.

Në një nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për Kosovën, ndër të tjera është thënë se dhuna dhe diskriminimi shoqëror kundër pjesëtarëve të pakicave etnike, grave, personave me aftësi të kufizuara dhe anëtarëve të komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transeksuaal kanë përbërë shqetësim.

Drejtuesi i organizatës joqeveritare “Hendikos”, Afrim Maliqi, ka deklaruar se ndjehen të diskriminuar si kategori e shoqërisë, për disa fakte që ai i përmend.

“Me vetë faktin që personat me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshirë në arsim kjo do të thotë se ballafaqohen me diskriminimin. Gjithashtu te çështja e punësimit të të rriturve me aftësi të kufizuara, edhe ata nuk janë të integruar në punësim, aq sa kanë nevojë dhe mundësi që të japin kontributin e tyre. Po ashtu, mungon infrastruktura dhe nuk kanë qasje të duhur dhe nuk janë të lirë të lëvizin dhe kjo është diskriminim’’, ka thënë Maliqi.

Zoti Maliqi flet edhe për të dhënat statistikore që ata posedojnë, lidhur me përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla.

“Në bazë të disa vlerësimeve që janë bërë, janë rreth 12 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuara të përfshirë në arsim, derisa nuk ka të dhëna për persona me aftësi të kufizuara se sa janë të punësuar’’, ka shtuar Maliqi.

Sidoqoftë, Kosova nuk ka statistika të sakta për personat me aftësi të kufizuara.

Por, bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë jetojnë me aftësi të kufizuara, atëherë del se në Kosovë janë rreth 170 mijë deri në 255 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

XS
SM
MD
LG