Ndërlidhjet

Ka dështuar prova raketore e Koresë Veriore


Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore thonë se duket se Koreja Veriore ka dështuar në përpjekjen për lansimin e një rakete, me të cilën me gjasë shënohej edhe ditëlindja e themeluesit të këtij vendi, Kim Il-Sung.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara e ka detektuar dhe gjurmuar atë që beson se është lansim i dështuar i raketës nga Pheniani.

Ky vlerësim është mbështetur edhe nga deklarata e Shtatmadhorisë së ushtrisë së Koresë Jugore, që thekson se Koreja Veriore “duke se është përpjekur për të pasur një provë raketore afër bregdetit të saj lindor sot herët në mëngjes, por duket se ka dështuar”.

Mediat e Koresë Jugore një ditë më herët kanë raportuar se Pheniani po përgatitej për një test raketor balistik me rreze të mesme verpimi, në kuadër të festimeve për ditëlindjen e themeluesit të Koresë Veriore.

Zëdhënësi i përmendur i Pentagonit tha se sistemet e Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara e kanë detektuar lansimin sot në orën 5 të mëngjesit sipas kohës së Koresë Veriore.

Ky zëdhënës ka thënë se kjo raketë nuk paraqiste kërcënim për Amerikën Veriore.

Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara i tha agjencisë Reuters se nuk ka detaje lidhur me tipin e raketës të përdorur në lansim.

“Ne me gjasë do ta lëmë vetë Korenë Veriore që ta karakterizojë”, tha një zëdhënës i Komandës Strategjike.

Agjencia Yonhap e Koresë Jugore ka raportuar se tipi do të mund të ishte raketë balistike Musudan me rreze të veprimit deri në 3 mijë kilometra. Kjo do të thotë se kjo raketë hynë në kategorinë e atyre me rreze të mesme veprimi.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Kinës, Xinhua, raportoi se lansimi raketor, përkundër dështimit, ishte shembulli i fundit i kërcënimit nga ana e Phenianit.

Gjatë javëve të fundit, mediat e Koresë Veriore kanë raportuar për kërcënime për sulme parandaluese atomike kundër Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara.

Ky lansim i dështuar praktikisht po bëhet pas katër testeve të Koresë Veriore në muajin janar të këtij viti dhe lansimit të raketës me rreze të gjatë veprimi disa javë më vonë, që kanë çuar në sanksione të reja të Kombeve të Bashkuara.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit tha se Uashingtoni po e monitoron situatën për së afërti.

“Ne i bëjmë thirrje përsëri Koresë Veriore të përmbahet nga aksionet dhe retorika që mëtutje i ngrit tensionet në rajon dhe të fokusohet në ndërmarrjen e hapave konkretë kah plotësimi i përkushtimeve dhe obligimeve të saj ndërkombëtare”, i tha ky zyrtar agjencisë Reuters.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG