Ndërlidhjet

Nuk ka më afat shtesë për projektin turistik në Brezovicë 


Kanë mbetur edhe pak ditë të afatit shtesë për përmbushjen e kushteve kontrakuale për fituesin e projektit zhvillimor për kompleksin turistik Brezovica, që gjendet në Komunën e Shtërpcës në Kosovë.

Kompania fituese e këtij projekti, konsorciumi francez MDP Consulting - Compagnie des Alpes, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ende nuk ka dhënë ndonjë informatë për përgatitjet që mund t’i ketë bërë gjatë kësaj kohe.

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon për Radion Evropa e Lirë zhvillimet në të cilat është projekti i Brezovicës.

“Në dhjetor është marrë një vendim për një shtyrje të afatit, kjo është bërë me kërkesë të kompanisë dhe ky afat është 31 maji i këtij viti. Ne presim nga kompania që është investitorë të lajmëroj si po shkojnë punët. Deri më tani nuk kemi ndonjë informatë nga kompania se si janë duke shkuar përgatitjet”, thotë ai.

Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro.

Sipas kontratës së nënshkruar më datën 14 prill 2015, Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese kishin rënë dakord për një periudhë transitore prej 180 ditëve, për të përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale.

Obligimet që do të duhej t’i përmbushte konsorciumi fitues ishte dorëzimi i master planit për qendrën e re, projektin për ndikimin mjedisor dhe projektin për ndikimin ekonomik që do të ketë në komunën e Shtërpcës.

Pas këtyre procedurave ishte paraparë të fillonte zbatimi i projektit, por që gjithçka kishte dështuar, për shkak se kompania nuk ishte përgatitur, ku edhe kishte pasuar afati shtesë me kërkesë të kompanisë fituese.

Vjollca Dibra, bënë të ditur, se ky do të jetë afati i fundit i zgjatur dhe nuk do të ketë afat shtesë tjetër.

“Besoj se do të jetë afati i fundit, ka edhe një garancion bankar në kontratë që kompania duhet të përmbushë në rast të mos përmbushjes së kontratës. Ky është afati u fundit në rast dështimi kompania mandej duhet të vendos diçka tjetër në lidhje me Brezovicën. Megjithatë ne shpresojmë se kjo të realizohet”, shton Dibra.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet e vendit që të jenë më të vëmendshëm karshi realizmit të këtij projekti.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se mbetet optimist që kompania fituese për realizimin e projektit zhvillimor Brezovica do të arrijë të përgatitet deri në afatin e caktuar kohë.

Sipas tij, zhvillimi i Brezovicës është i mundur vetëm në këtë mënyrë, çfarë edhe ka filluar, pasi që mjete të buxhetit të Kosovës nuk ka mundësi të realizohet .

“Realisht pres që procesi i dhënies me koncesion të qendrës rekreative Brezovica, të përfundojë me sukses, kjo për shkak të përpjekjeve të mëdha që janë bërë për përzgjedhjen e kompanisë së duhur dhe kohës së shpenzuar në përgatitjen e procesit të privatizimit, si dhe po ashtu për shkak të vetë nevojës së përfshirjes së kapitalit të huaj dhe kapitalit të sektorit privat për zhvillimin e mëtutjeshëm të Brezovicës”, thekson Zeka.

Gjatë realizimit të ndërtimit të kapaciteteve të reja turistike në kompleksin turistik Brezovica, Arian Zeka, shton se do të ketë efekte pozitive në punësim, por që benefitet më të mëdha do të jenë për periudhën afatgjate.

Megjithatë, ekspertët e fushës së turizmit dyshojnë në përmbushjen e marrëveshjes kontraktuale nga kompania fituese në afatin e caktuar kohor.

Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit, shprehet mjaft skeptik në realizimin e këtij projekti. Ai thotë se mos realizimi i obligimeve kontraktuale me kohë të caktuar, kanë treguar jo seriozitet në këtë projekt.

“Nënshkruesi i parë i kontratës nuk është kompani zhvillimore, por është kompani konsulente e cila nuk ka kapacitete as njerëzore e mos të flasim për kapacitete financiare. Këtu është bërë gabimi dhe frikësohem se ky projekt të dështoj. Nuk kisha dashur të dështojë, mirëpo ka mjaft argumente që dëshmojnë këtë”, shton ai.

Konsorciumi francez kishte planifikuar investime në kompleksin turistik Brezovica 165 milionë euro në tri vitet e para, si dhe ishte premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

XS
SM
MD
LG