Ndërlidhjet

Stoltenberg: Armëpushimi është kyç për paqen në Siri


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se armëpushimi gati dymuajsh në Siri është i brishtë, porse ende përbën shansin më të mirë për një zgjidhje paqësore të krizës.

Ndërprerja e armiqësive midis forcave pro-qeveritare dhe luftëtarëve opozitarë ka hyrë në fuqi në fund të muajit shkurt dhe ka reduktuar ndjeshëm luftimet në Siri. Megjithatë, të dyja palët kanë raportuar për disa shkelje, përfshirë intensifikimin e luftimeve në provincën Alepo.

Stoltenberg ka folur në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në Ankara.

“Turqia është në ballë të një rajoni shumë të paqëndrueshëm – nga terrorizmi dhe konflikti në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut e deri te aktivitetet destabilizuese ushtarake të Rusisë”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka theksuar se, pavarësisht njoftimit të Rusisë në muajin mars se do të tërheqë pjesërisht forcat e saj ushtarake nga Siria, Moska vazhdon të mbajë një prani të konsiderueshme ushtarake, në mbështetje të qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Stoltenberg po ashtu ka mirëpritur pjesëmarrjen e Turqisë në përpjekjet ndërkombëtare për të mposhtur grupin militant Shteti Islamik.

Turqia ka ofruar bazën e saj ajrore Incirlik që të përdoret nga koalicioni ndërkombëtar, i cili kryen sulme kundër militantëve. Avionët turq kanë marrë pjesë në sulmet ajrore në Siri, por jo edhe në Irak.

“Në luftën kundër terrorizmit, ndërtimi i kapaciteteve lokale është një nga armët më të mira që kemi. Këtë e shohim çdo ditë në Afganistan, ku Turqia luan një rol të rëndësishëm… Ne i jemi mirënjohës kontributit të Turqisë në mënyra të ndryshme. Në kohën kur përballemi me sfidat më të mëdha të sigurisë në një brez, NATO do të vazhdojë të qëndrojë e fuqishme dhe e bashkuar”, ka thënë Stoltenberg, i cili është ndalur edhe te kriza me migrantë.

Shefi i NATO-s ka thënë se numri i migrantëve dhe i refugjatëve që kalojnë Detin Egje nga Turqia për në Evropë është duke rënë në mënyrë të konsiderueshme.

Por, ai ka paralajmëruar se kontrabandistët mund të ndryshojnë rrugë dhe se autoritetet nuk duhet të reduktojnë përpjekjet e tyre për siguri përpara kohe.

Turqia dhe Bashkimi Evropian, muajin e kaluar, kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të zvogëlojë fluksin e migrantëve dhe refugjatëve, shumica të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Azi. Vitin e kaluar, mbi një milion njerëz kanë arritur në Evropë.

Anijet e NATO-s në Detin Egje, një nga rrugët kryesore për migrantët që kalojnë nga Turqia në ishujt grekë, kanë ndihmuar të ndalojnë kontrabanduesit e njerëzve.

“Kriza me migrantë dhe refugjatë tregon se sa urgjente është të gjendet një zgjidhje paqësore për konfliktin në Siri”, ka thënë Stoltenberg, për të shtuar:

“Në Samitin e NATO-s në Varshavë, në muajin korrik, duhet të rrisim mbështetjen tonë për partnerët rajonalë, për të projektuar stabilitet përtej kufijve tanë”.

Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011. Mbi 270,000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se gjysma e popullsisë është zhvendosur.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG