Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës më shumë i janë besnikë Beogradit sesa Prishtinës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Pjesëmarrja e madhe e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, sipas analistëve të çështjeve politike në Prishtinë, dëshmon orientimin e përgjithshëm të serbëve që të identifikohen më shumë më shtetin e Serbisë, sesa me institucionet e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, e cila ka qenë bartëse e këtyre zgjedhjeve, në Kosovë kanë votuar rreth 47.000 votues, apo 44 për qind e serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, në listën e Komisionit Zgjedhor të Serbisë kanë qenë të regjistruar 106.094.

Serbët në Kosovë kanë votuar dhjetë për qind më shumë se në zgjedhjet parlamentare serbe të vitit 2014, ku patën votuar 34.42 për qind e votuesve të regjistruar.

Analisti i çështjeve politike, Behlul Beqaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rrymat nacionaliste në Serbi, vazhdojnë të dominojnë në politikën e atjeshme.

“Fakti që në Serbi ka fituar blloku nacional dhe nacionalist duke përfshirë edhe dy parti të reja, Partinë Radikale serbe dhe të veriut, por duke mos anashkaluar faktin që në garë kanë qenë dy parti me ‘prefiksin’ rus, tregon se orientimi i Serbisë ndonëse se formalisht është drejtuar kah Evropa, kuptimin përmbajtjesor nuk përjashtohet mundësia që karshi përforcimit të shtetit dhe ambicieve maksimaliste që do t’i ketë Serbia me bllokun e vet nacionalist në Kosovë të orientonte drejt Rusisë”, ka theksuar Beqaj.

Në këtë drejtim, shton Beqaj, Serbia do të përfitojë edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, për fakti, siç thotë ai, për bashkësinë ndërkombëtare është më e rëndësishme që Serbia t’i ofrohet BE-së dhe NATO, sesa t’i afrohet Rusisë.

E gjithë kjo, sipas Beqaj do të jetë një kompromis i dhimbshëm, i cili do të shkojë në dëm të Kosovës, përkatësisht shqiptarëve.

Ndërkaq ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiq thotë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi ishin të pritshme, andaj sipas tij, nuk mund të priten edhe ndryshime të rëndësishme atje.

Këto ndryshime, ka vijuar Miletiq, nuk pritet ët ndodhin as në raport me Kosovën për faktin që në krye të qeverisë së Serbisë do të jetë i njëjti kryeministër me një qeveri të ngjashme.

“Mendoj që qeveria e re e Serbisë do të ketë një shumicë komode që t’i miratojë të gjitha vendimet që i ka kur është menduar Kosova dhe dialogu i Brukselit”, ka thënë Miletiq.

Ai pret që politikat e qeverisë së re të Aleksandër Vuçiqit në raport me Kosovën, t’I mbështetë edhe një pjesë e opozitës.

“Serbët e Kosovës natyrisht që janë të interesuar për të gjitha proceset që zhvillohen në Beograd dhe mendoj se kjo dalje në zgjedhje është një gjë reale (zhvillim real) ngase njerëzit duan që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të ndikojnë në zhvillimet politike në Beograd”, ka thënë Milletiq.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se pjesëmarrja e madhe e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dëshmon se politika e Kosovës karshi integrimit të serbëve të Kosovës ka pësuar humbje.

“Institucionet e Kosovës nuk është se kanë bërë hapa konkret për të integruar këta qytetarë, jo që të shkëpusin lidhjet me shtetin e Serbisë, pasi që nuk do të ishte korrekte një gjë e tillë, po që të ju krijojnë kushte dhe të kenë një përfaqësim më të mirë në institucionet e Kosovës”.

“Udhëheqësit serbë që mbajnë pozita shtetërore në institucionet e Kosovës bëjnë konsulta me Qeverinë e Serbisë për të marrë vendime në institucionet e Kosovës për qytetarët serb edhe kjo është diçka që e thellon dhe vështirëson integrimin e serbëve të Kosovës në vetë shtetin e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Dalja më masive e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, veç tjerash është nënkuptuar edhe si anim i tyre kah institucionet e Beogradit.

Për më gjatë se një dekadë e gjysmë, serbët e Kosovës, sidomos ata në veri, ishin organizuar në institucionet paralele të pushtetit të mbështetura nga Serbia, duke i bojkotuar ato të Kosovës.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht ishin deklaruar se po bëjnë përpjekje për t’i shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG