Ndërlidhjet

30 vjet nga katastrofa më e keqe bërthamore në histori


Zona e Çernobilit, 18 prill 2016
Zona e Çernobilit, 18 prill 2016

Ukraina shënon sot 30-vjetorin e katastrofës bërthamore në Çernobil.

Këmbanat janë dëgjuar në orët e hershme, për të shënuar momentin e shpërthimit në reaktorin numër katër, më 26 prill të vitit 1986.

Shpërthimi ka bërë që një re e madhe e materialit radioaktiv të kalojë kufijtë e Ukrainës, në Rusi, në Bjellorusi dhe në Evropën veriore.

“Kjo tragjedi do të mbetet me ne deri në fund të jetës. Nuk do ta harroj atë kurrë. Asnjëri që ka qenë atje nuk do ta harrojë”, thotë Vasyl Markin, inxhinier në centralin bërthamor të Çernobilit në kohën e fatkeqësisë.

Ai, së bashku me qytetarë të tjerë ukrainas, janë mbledhur të martën në një ceremoni përkujtimore në qytetin Sllavutiç, i cili është ndërtuar për të akomoduar punëtorët e zhvendosur nga katastrofa e Çernobilit.

“Në përgjithësi, kjo tragjedi ka shkaktuar pasoja të mëdha. Për shembull, centrali bërthamor nuk funksionon. Por, nëse e zhvillojmë industrinë e energjisë në përputhje me standardet, qyteti jonë do të ishte në gjendje më të mirë dhe i gjithë vendi do të zhvillohej më shumë”, thotë Serhyi Andreev, ish-punonjës në Çernobil.

Numri i njerëzve të vrarë nga katastrofa mbetet i diskutueshëm.

Mendohet se 30 persona kanë vdekur në momentin e shpërthimit dhe në operacionin e shpëtimit.

Por, një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar në vitin 2005, ka llogaritur se 4,000 veta mund të kenë vdekur nga sëmundje që lidhen me materialin radioaktiv.

Niveli i radioaktivitetit vazhdon të mbetet i lartë edhe sot në zonat përreth vendit të fatkeqësisë. Një organizatë bamirëse, “Urat në Bjellorusi”, tërheq vërejtjen se foshnjat në rajonin pranë kufirit me Ukrainën vazhdojnë të lindin me deformime të rënda, ndërsa një numër jashtëzakonisht i lartë i njerëzve kanë forma të rralla të kancerit.

Përvjetori i fatkeqësisë ka marrë vëmendje shtesë për shkak të përfundimit të afërt të një sturkture të veshur me çelik, që do të forcojë reaktorin e goditur dhe do të parandalojë rrjedhjet e mëtejshme radioaktive për 100 vjetët e ardhshëm.

Projekti është financuar me donacione nga më shumë se 40 qeveri. Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Groysman, ka thënë se mësimet e nxjerra nga Çernobili duhet të merren parasysh në gjithë botën.

Fatkeqësia në Çernobil dhe reagimi i qeverisë patën nxjerrë në pah të metat e sistemit sovjetik, me burokraci të papërgjegjshme dhe kulturë të sekreteve. Për shembull, urdhëri për evakuim është bërë 36 orë pas aksidentit.

Ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka thënë se e konsideron Çernobilin si një nga gozhdat kryesore në arkivolin e Bashkimit Sovjetik, i cili është shpërbërë në vitin 1991.

Ngjarja në Çernobil mbetet katastrofa më e keqe bërthamore në histori.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG