Ndërlidhjet

SHBA planifikon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për Evropën


Ilustrim
Ilustrim

Një komision i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka mbështetur rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve të mbrojtjes, për të siguruar aleatët evropianë, të cilët janë të shqetësuar me manovrat e ushtrisë ruse.

Ligjvënësit në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura po ashtu kanë votuar për ndarjen e 150 milionë dollarëve, për të ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të Qeverisë së Ukrainës në luftën e tyre kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.

Ligji, megjithatë, nuk i plotëson kërkesat e vazhdueshme të Kievit për armë të tjera pos atyre që i ka ofruar Uashingtoni deri më sot.

Në vlerë prej 610 miliardë dollarësh, legjislacioni është një nga buxhetet më të mëdha për mbulimin e politikave të mbrojtjes të SHBA-së.

Paketa autorizon më shumë para për avionë të avancuar luftarakë, për anije të reja detare, për betejën kundër sulmeve kibernetike, si dhe për gjëra më të zakonshme, si pagat e shërbyesve dhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor për ta.

Ligji po ashtu reflekton prioritetet e politikës së jashtme amerikane dhe alarmin që shumë ligjvënës dhe zyrtarë kanë shprehur në lidhje me veprimet e përshkallëzuara ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në Siri dhe gjetkë.

Ligjvënësit kanë mbështetur edhe një propozim të adiminstratës, të quajtur Iniciativa për Sigurimin e Evropës, e që kërkon 3.4 miliardë dollarë për të rritur praninë e ushtrisë amerikane në Evropën lindore. Pentagoni planifikon të rrisë numrin e brigadave luftarake në Evropë, ashtu si dhe armatimin e stacionuar atje.

Anëtarët e komisionit janë pajtuar edhe për një traktat, që autorizon vendet të kryejnë fluturime mbikëqyrëse mbi territorin e një vendi tjetër, për të monitoruar forcat ushtarake. Traktati për Qiej të Hapur është përdorur edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia për të mbledhur informacione.

Ligjvënësit e komisionit kanë debatuar edhe për kufizimin e përdorimit të motorëve rusë për lëshimin e satelitëve ushtarakë të SHBA-së. Prejse SHBA ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014,zyrtarët amerikanë kanë propozuar kufizimin e përdorimit të motorëve RD-180, të cilët prodhohen nga një korporatë shtetërore ruse.

“Nuk ka arsye të mbushim xhepat e (presidentit rus) Putinit tani. Kini parasysh kur të votojmë me poo se jo. Nëse votojmë me po, ne i kontribuojmë drejtpërdrejt modernizimit të ushtrisë ruse”, ka thënë anëtari i komisionit, Duncan Hunter, republikan nga Kalofornia.

Por, zyrtarë të Forcës Ajrore të SHBA-së kanë thënë se nuk do të ketë alternativë të mirë amerikane për motorët rusë edhe për disa vite.

Një tjetër ndryshim thelbësor i politikës ka përfshirë kërkesën që gratë amerikane të rekrutohen me detyrim në ushtri. Sipas ligjit ekzistues në SHBA, të gjithë burrat midis 18 dhe 25 vjeç janë të detyruar me ligj të regjistrohen në qeverinë federale dhe potencialisht të rekrutohen në rast lufte.

Edhe pse mund të shërbejnë në të gjitha degët e forcave të armatosura të SHBA-së, gratë, për kohë të gjatë, janë ndaluar nga pozicionet luftarake.

Projektligji për mbrojtjen do të kalojë për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG