Ndërlidhjet

Gjykata cakton 30 ditë paraburgim për Azem Sylën


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e 30 ditëve paraburgim për Azem Sylën, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Këtë pasdite, një gjyqtar i EULEX-it mori vendimin për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, për të pandehurin A .S. Gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it kishte lëshuar një flet-arrest për të pandehurin më 26 prill 2016”, thuhet në njoftimin e shkurtër të gjykatës.

Syla po dyshohet për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Deri më tani, lidhur me këtë rast, janë arrestuar gjashtë persona, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla, të premten është dorëzuar në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë, tek autoritetet kosovare.

Syla, pas dorëzimit, është sjellë në qendrën e ndalimit në Stacionin Qendër të Policisë së Kosovës në Prishtinë nga policia e EULEX-it dhe më pas është dërguar në Pallatin e Drejtësisë, ku edhe është mbajtur seanca e parë dëgjimore ndaj tij.

Në këtë seancë, prokurori i rastit ka kërkuar nga trupi gjykues që Sylës t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërsa, avokati mbrojtës i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Tomë Gashi, vendimin e Gjykatës e ka cilësuar si të padrejtë dhe të ndikuar politikisht.

Gashi ka bërë të ditur se pala mbrojtëse do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Unë, si avokat i tij, këtë aktvendim e konsideroj të ndikuar politikisht, për shkak se nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që të njëjtit t’i caktohet masa më e rëndë e paraparë me ligj, kur efekti i njëjtë ka mundur të arrihet me masa më të buta”.

“Ankesa do të paraqitet menjëherë dhe presim që Gjykata e Apelit të jetë më e drejtë në raport me ish-komandantët dhe ushtarët e UÇK-së”, ka deklaruar Gashi.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se hetimet e rastit "Syla" kanë të bëjnë me “një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më tani, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla”.

Ky i fundit deri më tani ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga organet e drejtësisë është thënë se anëtarët e këtij grupi kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh.

Avokati Gashi ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pronat, të cilat janë duke u hetuar në këtë rast, janë konfiskuar përkohësisht.

"Prokurori ka deklaruar se janë konfiskuar përkohësisht pronat që janë objekt i hetimit, që i bie pronat e KBI-së, ‘Kosova Export’, të cilat prokurori mendon se mënyrë të kriminalizuar janë përvetësuar nga këta persona, janë nën hetime", ka theksuar Gashi.

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta politike në Kosovë, është konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për organet e rendit dhe ato të drejtësisë.

Disa figura të jetës politike e publike, jo rrallë kanë zgjedhur edhe ikjen nga Kosova, menjëherë pas shpalljes së nisjes së hetimeve ndaj tyre apo edhe pas shpalljes së aktgjykimit. Këto raste, kryesisht kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe krim të organizuar.

Kryetarë komunash të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, shpeshherë nuk kanë përfillur ligjet e Kosovës.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut nga Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi në vitin 2011, ishte shpallur fajtor për një vepër penale duke iu shqiptuar dënim me tri vjet burgim.

Leme Xhema, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Post-Telekomit të Kosovës, në vitin 2008 ishte dënuar me tre vjet burg për përfitime të paligjshme. Por, e njëjta nuk ka qëndruar në burg, duke braktisur Kosovën.

Një rast tjetër i ikjes është edhe ai i përfaqësuesve të kompanisë private shëndetësore të quajtur “Medicus”, ku pas shqiptimit të dënimit Lutfi Dervishi, me profesion doktor, është arratisur nga Kosova.

Ndërkaq, pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë.

XS
SM
MD
LG