Ndërlidhjet

Një Maji, pa protestë e me festë


Protesta simbolike në Prishtinë
Protesta simbolike në Prishtinë

Sikurse edhe viteve të kaluara, punëtorët në Kosovë, qoftë ata të sektorit publik apo atij privat, nuk kanë protestuar në Ditën ndërkombëtare të punëtorëve, më 1 Maj, siç ndodh nëpër vende të ndryshme nëpër botë.

Nga hulumtimet e ndryshme që kanë bërë organizatat joqeveritare thuhet se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve janë punëdhënësit e sektorit privat.

Derisa në vende të ndryshme punëtorët ngrenë zërin për të drejtat e tyre në punë, zyrtarë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, as kësaj radhe nuk kanë organizuar ndonjë protestë.

Ata thonë se për punëtorët në Kosovë shprehen të pakënaqur, pasi që nuk zbatohet Ligji e as Kontrata kolektive.

Nënkryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga takimet që janë bërë në sindikatë, ku është diskutuar për mundësinë e organizimit të një proteste, për të kërkuar respektimin e të drejtave të punëtorëve, nuk ka pasur gatishmëri e përkrahje për diçka të tillë.

"Për fat të keq, po e them, nga sistemi i kaluar ka ngelur një shprehi e keqe e punëtoreve që të festohet 1 Maji. Një Maji nuk është festë e punëtorëve".

"Kemi qenë dakord për ta bërë një protestë, mirëpo kërkesa e Federatës ka qenë që të mos bëhet ajo, disa kanë thënë se nuk mund t'i sjellin punëtoret, e disa kanë thënë se ata janë gati për të shkuar në Durrës", thotë Ajdini.

Një Maji në Prishtinë...
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Kjo ditë në Kosovës u shënua kryesisht me organizime të ndryshme familjare, duke dalë në piknik, nëpër parqe, si dhe vizita të tjera turistike, derisa në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë një numër simbolik i qytetarëve kryesisht të rinj, protestuan për të drejtat e punëtorëve.

Anëtarët e grupit vullnetar "Ngrite zërin", që organizuan një protestë simbolike, thanë se qëllimi i protestës është që të ngrihet zëri i punëtorëve, kryesisht i atyre që punojnë në sektorin privat në Kosovë.

Valon Jonuzi nga ky grup tha se Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit e sindikatave nuk janë duke i përfaqësuar interesat e punëtorëve ashtu siç do të duhej.

"Një numër i madhe i punëtorëve punojnë pa kontrata, janë të privuar nga të drejtat e tyre, nuk kanë sigurime shëndetësore, punojnë me orar të zgjatur. Ky marsh simbolik që shpreh pakënaqësinë karshi kësaj gjendjeje, ka për qellim që të krijojë një traditë në të ardhmen që punëtorët e sektorit privat, po ashtu edhe punëtorët në sektorët e tjerë, të dalin dhe të manifestojnë mllefin e tyre karshi kësaj neglizhence institucionale dhe shoqërore ndaj të drejtave të tyre", tha Jonuzi

Ai theksoi se shkeljet e të drejtave të punëtoreve dhe mosorganizimi i tyre për të kërkuar të drejtat që u takojnë, është si pasojë e mosfunksionimit të duhur të sindikatave dhe politizimit të tyre.

"Ka një numër të madhe të sindikatave, të cilat kryejnë një punë fasade. Ato flirtojnë me qeveritarë dhe me krerë të ndryshëm të bizneseve. Janë të politizuara dhe nuk përfaqësojnë aspak të drejtat për të cilat thirren dhe për këtë arsye mendojmë se s’ka një organizim të punëtorëve dhe e shohim që interesimi i punëtorëve për manifestimin e pakënaqësive të tyre është shumë i vogël", u shpreh Jonuzi.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen më përqindjen më të lartë papunësisë në rajon.

Ky problem vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të autoriteteve kompetente për më shumë se një dekadë.

Edhe zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kanë theksuar se sfida kryesore në Kosovë është rritja e punësimit dhe e kapacitetit të eksportit.

Kurse, ekspertë për çështje ekonomike disa herë kanë deklaruar se pa përkrahje të sektorit privat dhe krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për investitorët e huaj, vështirë se mund të zvogëlohet shkalla e papunësisë.

Të shtyrë nga papunësia, shumë qytetarë të Kosovës patën imigruar ilegalisht në Evropën Perëndimore gjatë nëntorit 2014 deri në qershor të 2015-s.

XS
SM
MD
LG