Ndërlidhjet

Khan zgjidhet kryetar i Londrës; lideri i parë mysliman i një kryeqyteti të BE-së


Sadiq Khan, kryetari i ri i Londrës
Sadiq Khan, kryetari i ri i Londrës

Kandidati për kryetar të Londrës i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, Sadiq Khan, është zgjedhur kryetar i këtij qyteti, duke e bërë atë liderin e parë mysliman të një kryeqyteti të Bashkimit Evropian.

Khan fitoi 57 për qind të votave, përderisa rivali i tij konservativ përfundoi me 43 për qind të votave.

“Urime Sadiq Khan. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë një Londër që do të jetë e drejtë për të gjithë!”, ka thënë lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Khan, 45 vjeçar, është djali i një emigranti pakistanez, që punonte si vozitës autobusi. Ai fitoi kundër rivalit të tij Zac Goldsmith, 41 vjeçar, i cili është djalë i një manjati të pasur.

Goldsmith e kishte akuzuar Khan se po mbështeste ekstremistët myslimanë, në një fushatë që ishte kritikuar gjerësisht, përfshirë edhe kritikat nga vet anëtarët e Partisë Konservative të Goldsmithit.

Khan tani është pasardhës i Boris Johnson, i cili njihet si avokues i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, e i cili gjithashtu shihet si një nga favoritët për ta pasuar David Cameronin si kryeministër.

Kryetarë të tjerë nga kryeqytete të mëdha botërore, si ai i Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe ajo e Parisit, Anne Hidalgo, menjëherë e uruan Khanin për pozitën e re.

XS
SM
MD
LG