Ndërlidhjet

Pushteti pret reflektimin e opozitës për Demarkacionin


Ilustrim
Ilustrim

Në Kuvendin e Kosovës nuk ka një përgjigje të saktë nëse ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të vihet në rend dite para pushimeve të verore.

Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar ende Projektligjin për ratifikm të kësaj marrëveshje. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ftuar sërish opozitën që paraprakisht të ulen dhe të gjejnë një pajtim para se Kuvendi të procedojë ratifikimin e Demarkacionit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar mbajtjen e dy seancave plenare më datat 18 dhe 25 maj. Por, në asnjërën prej këtyre seancave nuk do të jetë në rend dite ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet çështja kryesore për fillimin e zbatimit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

Kryekuvendari, Kadri Veseli është zotuar se Kuvendi nuk do të lejojë që të bëhet pengesë e zbatimit të liberalizimit.

“Ende nuk e kemi në agjendë një çështje të tillë. Në momentin që do ta kemi do të bashkëbisedojmë edhe me kolegët tanë të opozitës, në mënyrë që të procedojmë bashkërisht në Kuvend. Por, ajo çfarë do të ndodh, në asnjë mënyrë nuk do të vihet në rrezik lëvizja e lirë, liberalizimi i vizave. Vendimmarrja do të jetë adekuate me interesat e vendit”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Komisioni Evropian i ka propozuar tashmë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Por, bashkë me këtë propozim Komisioni Evropian ka përmendur si kriter ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i politik i ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën, ka nisur të shqyrtohet në Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe se sipas tij edhe institucionet e Kosovës duhet të ecin tutje me obligimet që kanë në këtë drejtim.

"Me rëndësi është se të gjithë jemi të vetëdijshëm për pritjet që ka Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare nga ana e Kosovës dhe besojmë që të gjithë do të japin kontributin e tyre ne këtë proces", ka thënë Rexhepi.

Sipas Rexhepit, në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumë ligje dhe, siç thekson ai, Kuvendi në ditët në vazhdim do t’i përfundojë edhe obligimet tjera që i kanë mbetur.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mospërmbushja e kushteve mund t’i ketë pasojat e veta.

"Mosplotësimi i kritereve, unë gjykoj se do t'i ketë pasojat e veta, jo ndoshta që të ndikojë që Kosova mos të marr liberalizimin, por së paku të prolongojë për një kohë procesin e vendimmarrjes. Një prolongim i tillë natyrisht besoj se nuk do të ishte një shenjë e mirë edhe për gjithë zhvillimet e mëtutjeshme të Kosovës në raport me agjendën evropiane", tha Ujkani.

Komisioneri i BE-së për çështje te brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri në miratimin e plotë të propozimit për heqjen e vizave, Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacion dhe të shtojë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas tij, çështja e migrimit ilegal duhet të adresohet dhe BE-ja ka mekanizma të saj për rivendosjen e përkohshme të vizave për shtetasit e një vendi përfitues, në rast të shtimit të madh dhe të papritur të migrimit ilegal nga ai vend.

Njohësit e integrimit evropian, kanë theksuar se pas rekomandimit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave.

Ndryshe, dy seancat e radhës kanë në rend dite shumë pika për miratim, ndër të cilat edhe Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke e shmangur Rregulloren e Kuvendit.

XS
SM
MD
LG