Ndërlidhjet

Vazhdimësi dualizmash institucionalë në veri të Mitrovicës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Mbajtja e zgjedhjeve lokale në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, në vitin 2013, ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rezultat i zgjedhjeve ishte formimi i institucioneve lokale në këto komuna, të cilat funksionojnë në kuadër të sistemit të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së veriut, janë kryesisht të kënaqur me punën e strukturave lokale të kësaj komune, ndërkohë që investimet në infrastrukturë dhe në rregullimin e qytetit, për ta janë mjaft të rëndësishme.

Por, ka edhe prej tyre që madje as nuk e dinë se ky gjendet objekti i komunës, për shërbimet e së cilës, siç thonë ata, deri më tash, nuk kanë pasur nevojë.

“Shkëlqyeshëm. Asnjëherë nuk ka qenë sikurse tash”, thotë një qytetar serb nga Mitrovica e veriut, i cili lëvdon punën e institucioneve lokale.

Ngjashëm flet edhe një bashkëqytetare e tij.

“Mendoj se kohët e fundit kanë bërë mjaft gjëra të mira për këtë qytet, si për shembull qarkullimin rrethor, rrugët, i kanë pastruar deponitë. Kështu që e gjithë kjo sjellë një përshtypje të re për qytetin dhe mendoj se tash është një gjendje më e këndshme”, tha qytetarja serbe.

Por, ka edhe qytetarë tjerë që mendojnë ndryshe.

“Nuk shkoj te asnjëra palë. Nuk ua kam nevojën dhe as që e di ku gjendet komuna”, tha qytetari serb nga Mitrovica e veriut.

Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës administrative e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë të veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se Komuna e Mitrovicës së veriut vazhdon të punojë me kapacitetet jo të plota. Sipas saj, nga 16 departamente, funksionojnë vetëm 7 prej tyre.

“Kjo është komunë që ofron shërbimet nga sistemi i Kosovës, ndërkaq me të drejton kryetari (Goran) Rakiq, i cili e ka trashëguar Zyrën administrative. Ajo ishte formuar me qëllim që të jetë bazë për formimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut. Ne ende funksionojmë me kapacitetet e njëjta edhe pse u kemi bërë kërkesa ministrive relevante për rritjen e numrit të punëtorëve në kuadër të Komunës së Mitrovicës së veriut”, ka theksuar Hoxhiq.

Por, krahas institucioneve lokale të Komunës së Mitrovicës së veriut, që funksionojnë në sistemin e Kosovës, në këtë komunë ende vazhdon punën i ashtuquajturi organ i përkohshëm “Komuna e Mitrovicës së Kosovës”, që drejtohet nga strukturat paralele të mbështetura dhe financuara nga Serbia.

Nën këtë organ funksionojnë disa ndërmarrje publike, të ashtuquajtura drejtori për rrugë, për banim, institucionet parashkollore, si dhe institucionet e kulturës dhe sportit. Të gjitha këto punësojnë rreth 700 persona që marrin pagat nga Serbia.

Kryetari i këtij organi, Aleksandar Spiriq, thotë se vet organi funksionon shumë mirë, krahas Komunës së Mitrovicës së veriut, por duke mos ia kontestuar punën njëra tjetrës. Megjithatë, sipas tij, komuna që funksionon nën sistemin e Kosovës, nuk ka arritur të funksionalizohet tërësisht dhe organi që ai drejton, siç thotë ai, do të vazhdojë të punojë.

“Shuarja e organeve të përkohshme është ëndërr që nuk do të realizohet. Kemi garanci të forta nga Qeveria e Republikës së Serbisë që shuarja e organit të përkohshëm nuk do të ndodhë”, ka thënë Spiriq.

Në anën tjetër, për autoritetet e Kosovës, shuarja e këtyre organeve është një nga kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë shërbimit për Ballkan të Radios Evropa e Lirë për Ballkan, se organet e përkohshme duhet të hiqen dhe së në Bruksel është arritur pajtimi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet pa shuarjen e institucioneve paralele.

“Këtë e ka thënë edhe kryeministri (Isa) Mustafa, por edhe ministrja Edita Tahiri dhe po ua konfirmoj edhe unë. Ne kemi marrëveshje. Ne jemi marrë vesh në Bruksel që këto procese do të shkojnë në mënyrë paralele. Pra, themelimi i statutit dhe themelimi i Asociacionit të shkojë paralel me shpërbërjen e të gjitha strukturave paralele”, ka thënë Gecaj.

Autoritetet e Kosovës edhe më parë kanë theksuar se janë të vetëdijshme për funksionimin në Kosovë edhe më tej të disa strukturave paralele të mbështetura nga Serbia, të cilat sipas tyre, janë krejtësisht të papranueshme.

XS
SM
MD
LG