Ndërlidhjet

Veseli: Kosova nuk është tokë pjellore për radikalizmin fetar


Kadri Veseli - Kryetar i Kuvendit të Kosovës
Kadri Veseli - Kryetar i Kuvendit të Kosovës

Ekstremistëve duhet t’u tregohet se religjionet janë vlerë dhe jo instrument i tyre, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Këto komente ai i ka bërë në mbylljen konferencës ndërfetare të mbajtur në Prishtinë, me temë, “Interfaith Kosova”.

“Grupe të ndryshme ekstremiste, në mungesë të ideologjive tjera, përpiqen të instrumentalizojnë shkrimet e shenjta për të përligjur dhunën kundër të tjerëve, si dhe interesat e vrazhda ekonomike dhe politike”, ka thënë Veseli.

“Ata duan një botë të armiqësive mes kulturave dhe religjioneve. Një botë të kaosit, ku dinjiteti, liritë dhe të drejtat e njeriut të humbin peshën dhe vlerën e tyre”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Republika e Kosovës, ka theksuar Veseli, është një vend i vogël, “por ka pasur fatin historik të trashëgojë një traditë të madhe e të fuqishme, të rrënjosur thellë në shpirtin e njerëzve të saj, - traditën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme”.

Tutje, Veseli është ndalur edhe te pasqyrimi që po i bëhet Kosovës në mediet e ndryshme ndërkombëtare, pas përfshirjes së një numri të qytetarëve të saj në luftërat e huaja në Siri e Irak.

“Kohëve të fundit, ne ballafaqohemi me një tendencë, herë të qëllimshme e herë jo, për ta paraqitur vendin tonë si një tokë pjellore për radikalizmin fetar. Duke njohur shpirtin e njerëzve të këtij vendi, e them me bindje të plotë, se ky është një perceptim i pavërtetë, sipërfaqësor dhe gjithsesi i përkohshëm”, ka theksuar Veseli.

“Nuk është e drejtë, as e moralshme, që të gjykojmë për një vend, për kulturën dhe institucionet e tij, duke marrë për bazë veprimet e një grupi të vogël individësh”, ka theksuar ai.

Veseli i ka cilësuar këto pasqyrime si paragjykime, të cilat sipas tij, asnjëherë nuk i kanë ndihmuar paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar, me tërë qenien e saj, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë ndër tjera Veseli. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG