Ndërlidhjet

TV çek iu thotë reporterëve: Shkruani negativisht për refugjatët


Ilustrim
Ilustrim

Një televizion çek po kritikohet ashpër, pasi është zbuluar se gjatë një mbledhje të redaktorëve iu është thënë gazetarëve se duhet të raportojnë negativisht për krizën e migrantëve. Në rast të kundërt, gazetarëve iu është thënë se mund të dalin nga puna dhe të punojnë dikund tjetër.

Në një xhirim të fshehtë të kësaj mbledhje në Televizionin Prima, të mbajtur në muajin shtator të vitit të kaluar, që tani është publikuar nga një faqe interneti, redaktori i këtij kanali televiziv dëgjohet duke iu thënë gazetarëve se refugjatët duhet të prezantohen si rrezik për vendin, ndërsa secili gazetar që nuk pajtohet me këtë qëndrim duhet të gjejë punë dikund tjetër.

Zëvendës udhëheqësi i bordit të drejtorëve të kësaj kompanie private, gjithashtu ka folur në mbledhje, duke iu thënë reporterëve se çfarë pritet prej tyre.

Duke e përshkruar situatën aktuale me refugjatë si “fillimi i fundit” potencial, dhe me pretendimet se ai nuk dëshiron që vajza e tij 9 vjeçare të vendos mbulesën islame burka brenda 20 vjetësh, Lubos Jetmar iu ka thënë pjesëmarrësve në mbledhje se ai është shqetësuar se kriza me migrantët “mund të jetë shumë më e madhe se sa ne po e kuptojmë”.

“Tani kanë ardhur disa qindra mijëra (migrantë) këtu (në Evropë), ndonjë një milion, nuk e di”, dëgjohet ai duke thënë në xhirimin që ka rrjedhur në media, “por, për momentin ka shumë prej tyre këtu, dhe se ata nuk respektojnë rregullat tona”.

Jatmar gjithashtu iu ka thënë gazetarëve se në momentin kur këto valë të mëdha të migrantëve të arrijnë, ata do të fillojnë që “me të vërtetë të shtyjnë para të vërtetën e tyre, mënyrën se si e shohin botën ata fenë e tyre dhe rregullat e tyre”.

Duke i fryrë zjarrit

Publikimi i bisedave në këtë mbledhje ka nxitur debate të ashpra për atë se si kriza e migrantëve është mbuluar nga mediat çeke.

Njëjtë, si në tërë Evropën Qëndrore, raportimet mediale edhe në Republikën Çeke janë dominuar gjatë muajve të fundit nga fluksi i migrantëve që kanë shkuar drejt Evropës. Migrantët janë larguar nga konfliktet, në vende si Siria dhe Afganistani.

Megjithatë, në Çeki gjatë vitit 2015, vetëm 1,525 persona kanë kërkuar azil , ndryshe nga 162 mijë migantë që e kanë bërë të njëjtën gjë në Suedi.

Sidoqoftë, raportimet mediale për migrantët që janë nisur rrugës për në Evropën Perëndimore kanë shkaktuar përçarje.

Në këtë vend kanë ndodhur disa incidente të pahijshme, siç është sulmi me bombë i një qendre refugjatësh, apo vandalizimi i bizneseve që i janë bashkuar fushatave për tolerancë.

Këto incidente kanë treguar se sa e tensionuar është bërë kjo çështje. Sipas një sondazhi, mbi 70 % e banorëve të Çekisë tani besojnë se shumica e të huajve që tani jetojnë në këtë vend përfaqësojnë kërcënim masiv për sigurinë kombëtare.

“Mediat e kanë ekzagjeruar situatën”, thotë Klara Kalibova, një avokat e të drejtave të njeriut, e cila e udhëheqë organizatën joqeveritare, “In Iustitia”, që punon me viktimat e krimeve të urrejtjes, përfshirë edhe migrantët.

“Ato nuk i përdorin numrat, nuk përdorin as burime të rëndësishme. Ato nuk përdorin burimet që janë të besueshme. Dhe, nganjëherë ata gjithashtu ftojnë të ashtuquajturit ekspertë rreth temës së migracionit dhe refugjatëve, persona që në fakt nuk janë ekspertë, dhe të cilën janë për shembull politikanë nga disa parti të margjinalizuara që anojnë më shumë nga e djathta ekstreme”, thotë ajo.

Megjithëse Kalibova thotë se shumë kompani mediale çeke kanë qenë të pakujdesshme në raportimet e tyre, ajo e konsideron TV Prima si një nga shkelësit më të këqinj.

Kanali televiziv, që besohet se ka pothuajse çerekun e shikueshmërisë së tregut, gjithashtu është kritikuar nga të tjetër për raportimet çdo herë e më të ashpra, që disa vlerësojnë se ka nxitur krijimin e një klime të frikës në shoqëri e cila nuk është e mësuar që të ketë kaq shumë të huaj në mesin e saj.

Xhirimet që kanë rrjedhur në media tani duket sikur i japin kredibilitet këtyre akuzave.

Një nga reporterët e TV Prima, që ka qenë në mbledhjen e lartpërmendur, dhe i cili ka folur në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gazetarët ishin ftuar në atë mbledhje, pasi menaxhmenti ka qenë “jashtëzakonisht i zemëruar” rreth dy raportimeve për krizën me migrantët.

Një nga kronikat ka qenë për një qendre vullnetarësh që shpërndante ushqime për refugjatët dhe tjetra hidhte poshtë pretendimet se migrantët sjellin sëmundje serioze me vete në Evropë.

‘Një masë e madhe e njerëzve’

Disa javë pas takimit, gazetari thotë se shumë materiale janë hequr nga raportimet, përfshirë edhe intervistat me refugjatë që e tregonin fytyrën njerëzore të krizës.

“Ata nuk donin asgjë që i portretizonte refugjatët si njerëz, por vetëm si një masë e madhe e njerëzve”, tregon ky burim.

“Në esencë, neve na është thënë që...të mos bëhemi objektiv, dhe të mos jemi të balancuar. Ishte shkelje e qartë e kodit etik të gazetarisë”.

Robert Brestan, kryeredaktori i ‘Hlidaci Pes’, faqja e internetit që e publikoi e para këtë ngjarje, ka thënë se ai e kishte vërejtur ndryshimin e mbulimit të kësaj teme te TV Prima prej shtatorit të vitit të kaluar.

Sipas mendimit të tij, raportimet e Prima-s rreth krizës së migrantëve ishin “mjaft të balancuara” dhe “normale” deri atëherë, por pas asaj mbledhje të redaktorëve, “stili i mbulimit ndryshoi shumë”.

‘Një qasje e kuptueshme, dhe e qëndrueshme’

TV Prima fillimisht e hodhi poshtë raportimin e ‘Hlidaci Pes’ si “spekulim”.

Mirëpo, më pas ata e publikuan një deklaratë rreth kësaj çështjeje.

Derisa insistojnë se mbulimi i tyre “mbështetej në përshkrim të pavarur të ngjarjeve”, televizioni ka thënë se takimi i shtatorit është mbajtur me qëllim që të bëjnë “një qasje të kuptueshme dhe të qëndrueshme të...krizës së vazhdueshme të refugjatëve”.

Ata gjithashtu e kanë hedhur poshtë akuzën se kanë detyruar gazetarët të raportojnë negativisht për migrantët.

Sipas avokatës për të drejtat e njeriut, Kalibova, qasja e pakompromis e Primas për çështjen e migrantëve tani është duke e helmuar tërë hapësirën mediale të vendit.

“Unë do të thoja se TV Prima është me ndikim, pasi që të tjerët e kanë parë se kjo të shpaguhet dhe tani edhe të tjerët e kanë ndryshuar mënyrën e punës”, thotë ajo.

Pas zbulimit të bërë nga portali, ‘Hlidaci Pes', autoriteti i transmetuesve të Çekisë ka njoftuar se do të bëjë edhe një analizë të detajuar të raportimeve televizive rreth krizës me migrantë.(REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG