Ndërlidhjet

Mospajtimet e diplomatëve amerikanë për Rusinë, NATO-n dhe Ukrainën


Ilustrim
Ilustrim

Dy ish ambasadorë amerikanë në Rusi kanë shprehur mospajtime rreth vlerësimeve për marrëdhëniet në të kaluarën dhe të ardhmen në mes të Uashingtonit dhe Moskës.

Mospajtimet kanë të bëjnë edhe me atë se cili vend ka përgjegjësi më të madhe për thellimin e tensioneve bilaterale në mes të dy shteteve.

Michael McFaul dhe Jack Matlock janë paraqitur me qëndrimet e tyre para Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit amerikan. Retorika e ashpër që përdoret nga udhëheqësit e Komitetit reflekton antipatinë në rritje të zyrtarëve amerikanë drejtë qeverisë ruse.

McFaul, i cili ka shërbyer si diplomat amerikan në Moskë prej vitit 2012 – 2014 dhe Matclock, që ka shërbyer në mes të viteve 1987 deri më 1991, duket se pajtoheshin se politika e brendshme ruse është duke ndikuar në drejtimin që po merr shumica e politikës së jashtme ruse, gjatë viteve të fundit.

“E gjithë kjo ka të bëjë me politikën e brendshme në Rusi, dhe në Ukrainë dhe se shumë pak ka të bëjë me politikën e jashtme amerikane, cilado qoftë ajo e fuqishme apo e dobët”, ka dëshmuar McFaul para komisionit.

“Ky është një moment tragjik në marrëdhëniet me Rusinë”, ka shtuar ai. “Nuk më pëlqen kjo fare, por ne duhet të zhvillojmë një politikë gjithpërfshirëse dhe të durueshme për të frenuar agresionin rus, duke punuar me qeverinë ruse kur kjo është në interesin tonë, dhe duke punuar edhe me shoqërinë ruse”.

Matlock ndërkaq foli kundër politikave amerikane që mund të duken sikur përzierje në çështjet e brendshme të Rusisë, diçka për të cilën presidenti rus, Vladimir Putin është ankuar rregullisht.

“Po, presidenti Putin ka bërë shumë gabime, shumica prej të cilave nuk janë në të mirën e Rusisë. Por, qeveria e Putinit është çështje që duhet të zgjidhet nga rusët. Skandalet e tyre janë diçka me të cilën duhet të merren ata”, ka thënë Matlock.

Të dy diplomatët nuk janë pajtuar kur ligjvënësit i kanë pyetur nëse perëndimi e ka provokuar Rusinë kur NATO u zgjerua, duke pranuar si anëtare ish shtetet e bllokut sovjetik si Polonia dhe vendet baltike, dhe nëse aleancat ushtarake duhet të zbusin përkushtimin e tyre ndaj aleatëve.

Matlock ka thënë se ai nuk e ka përkrahur zgjerimin e NATO-s gjatë kohës sa ishte ambasador në Moskë. Ai ka thënë se beson që NATO nganjëherë më shumë është pengesë për SHBA-të. Matlock gjithashtu ka thënë se edhe anëtarësimi i Turqisë në NATO ka krijuar përfitime të paqarta.

“Politika nxitet nga përshtypjet dhe përshtypja e tyre është që ne vazhdimisht kemi punuar kundër interesit të tyre, duke bërë përpjekje që t’i rrethojmë dhe bile edhe duke bërë përpjekje që të ndërhyjmë në politikën e tyre të brendshme”, ka thënë ai.

McFaul , i cili gjithashtu ka shërbyer edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë para angazhimit si diplomat në Moskë, ka thënë se aleanca duhet të qëndrojë e fuqishme pasi dobësimi do të lejonte vazhdim të agresionit rus.

Ai e ka hedhur poshtë vlerësimin se aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia ka qenë përgjigje direkte ndaj zgjerimit të NATO-s.

“E gjitha ishte racionalizim i asaj që Putini tashmë e kishte bërë në Ukrainë”, ka thënë McFaul.

“Unë dua që në mënyrë radikale ta hedh poshtë këtë ekuivalencë morale, që thotë se në një formë ne duhet të fajësohemi, dhe se duhet fajësuar Amerikën, të fajësojmë Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar ai.

McFaul ka thënë se nëse do të shkruante “10 urdhërat kryesore rreth asaj se si të jesh multilateralist, një qytetar i mirë ndërkombëtar”, në mesin e tre urdhërave të parë do të ishte: “Ti nuk duhet të aneksosh territorin e fqinjit tënd”.

“Më vjen keq. Kjo ishte ajo që e bëri Putini”, ka thënë ai dhe ka shtuar: “Ne nuk kemi aneksuar asnjë territor. Ne nuk kemi nxitur revolucion kundër tij”.

Të dy diplomatët, Matlock dhe McFaul i kanë thënë Komitetit se Uashingtoni duhet të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën që të bëhet më stabile dhe me prosperitet, ndonëse Matlock ka insistuar se një Ukrainë me më shumë prosperitet duhet të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Ai ka sugjeruar se Perëndimi, ndonjë ditë duhet ta pranojë në heshtje aneksimin që e ka bërë Rusia të gadishullit që gjendet në Detin e Zi.

“Ukraina është më mirë pa Krimenë”, ka thënë Matlock. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG