Ndërlidhjet

Brexit: BE nuk bën kompromise për lirinë e lëvizjes


Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë thënë se Britania e Madhe duhet të respektojë parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve nëse do që të ruajë qasjen në tregun e vetëm, pasi të largohet nga blloku.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se Britania “nuk mund të zgjedhë”.

Liderët gjermanë dhe francezë po ashtu e kanë bërë të qartë se liria e lëvizjes së njerëzve nuk është e negociueshme.

Ata i kanë bërë komentet pas një samiti në Bruksel, pa pjesëmarrjen e Britanisë, për herë të parë në më shumë se 40 vjet.

Tusk ka thënë se takimi i radhës i BE-së, përsëri pa Britaninë, do të mbahet më 16 shtator në Bratisllavë, ku do të diskutohet i ashtuquajturi Brexit apo dalja e Britanisë nga BE-ja.

Liderët e 27 vendeve anëtare kanë thënë përmes një deklarate se shpresojnë që në të ardhmen Britania të mbetet partnere e afërt e BE-së.

“Çdo marrëveshje, e cila do të arrihet me Mbretërinë e Bashkuar si vend i tretë, do të duhet të bazohet në balancën e të drejtave dhe detyrimeve. Qasja në tregun e vetëm kërkon pranimin e të katër lirive”, thuhet në deklaratë.

Katër liritë që përbëjnë bazën e tregut të brendshëm janë liria e lëvizjes së mallarave, punëtorëve, shërbimeve dhe kapitalit.

XS
SM
MD
LG