Ndërlidhjet

IS po humbet territor, por a është bërë më i rrezikshëm?


James Miller

Nëse dikush e ka pasur iluzionin se lufta kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik po i afrohet kapitullit të fundit, ky nocion naiv do të duhej të shëmbej gjatë javëve të fundit. Vetëm muajin e kaluar, IS ka pësuar edhe humbje të mëdha, por ka pasur edhe fitore të mëdha.

Në këtë kohë grupi militant ka kryer edhe sulmet më të suksesshme terroriste deri më tash, duke e verifikuar se lufta kundër tyre është më së paku po aq e komplikuar siç ishte beteja për t’i mposhtur paraardhësit e tyre në Irak.

Kur Al Kaida në Irak (AQI) u themelua pas okupimit amerikan në vitin 2003, ajo kishte disa përparësi kundrejt Shteteve të Bashkuara.

Në fillim, luftërat në Afganistan dhe Irak filluan si misione tradicionale kundër forcave që luftonin atje, talibanët dhe ushtrinë irakiane respektivisht, të cilat luftonin për ruajtjen e terroritoreve. Mirëpo kjo shpejtë ndryshoi kur këto territore u morën nga koalicioni supër i fuqishëm që udhëhiqej nga SHBA-të.

Të dy luftërat shumë shpejtë u kthyen në kryengritje asimetrike të cilat janë shumë më të vështira për tu luftuar. Mirëpo AQI kishte edhe një tjetër plan që përfshinte një kombinim të luftës asimetrike dhe asaj më tradicionale.

Komandantët e koalicionit shumë shpejtë e kuptuan se nuk ishte e mjaftueshme vetëm kapja e territoreve, por edhe mbajtja e tyre nën kontroll nga forcat vendore të cilat duhej të bindeshin se kjo ishte një luftë me vlerë për ta.

Mirëpo, AQI ishte e suksesshme në mbajtjen e përkohshme nën kontroll të disa lagjeve apo edhe qyteteve si Falluxha dhe kryerjen e sulmeve terroriste kryesisht vetëm në zona të tjera të Irakut.

Planet e luftës të grupit militant, Shteti Islamik megjithatë shkuan një hap më tutje.

IS-i okuponte territore të shumta dhe në të njëjtën kohë kryen sulme në tërë Lindjen e Mesme dhe përtej saj derisa inspiron sulme në tërë planetin. IS-i është ushtri, grup terrorist, organizatë guerile dhe në të njëjtën kohë e përfaqson një ide, katër aspekte këto që po verifikohen si të vështira për tu luftuar.

Gjatë muajve të fundit ka pasur shumë spekulime se pjesa ushtarake e IS-it është pjesa e lehtë për tu mundur. Është e qartë që IS-i ka humbur disa beteja edhe në Irak edhe në Siri.

Sipas një raporti të publikuar së fundi nga ekspertët e kompanisë hulumtuese, IHS, IS e ka humbur 14 % të territorit të saj në vitin 2015 dhe 12 % të tjera në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Si rezultat të këtyre humbjeve, IS tash është duke u përqendruar më shumë në kryerjen e sulmeve terroriste në vende të tjera se sa të përdor propagandën për të lavdëruar fitoret e saj më tradicionale ushtarake.

Kjo është e qartë se është shenjë e dobësisë, por një kafshë e plagosur është padyshim shumë e rrezikshme.

Aq më tepër që IS-i ende e ka përparësinë e përdorimit të fuqisë që i buron nga kontrollimi i territoreve për të nxitur terrorizmin dhe frikën përtej kufinjëve të saj.

Si pasojë e kësaj dinamike, sa më shpejtë që mposhtet ushtarakisht aq më mirë.

Rimarrja e kontrollit gjatë 18 muajve të fundit mbi çerekun e territoreve që dikur IS-i i kontrollonte fuqishëm është hapi i parë i rëndësishëm në mposhtjen përfundimtare të grupit terrorist. Por a nënkupton kjo që duhen gjashtë vjet për ta mposhtur ushtarakisht IS-in?

Ka gjithashtu shenja se betejat nuk po shkojnë aq mirë në krahasim me pritjet e shumicës. Falluxha është rimarrë nga IS-i pas shumë muajsh rrethimi dhe pas një muaj luftimesh të pandërprera.

Por, Falluxha ka qenë një nga pozicionet më të rëndësishme të IS-it, fillimisht e okupuar nga milirtantët e Shtetit Islamik për fuqinë e saj simbolike.

Faysal Itani nga Këshilli Atlantik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky qytet është humbur nga IS-i pasi kjo organizatë është tejmase e shpërndarë në rajon.

Betejat për Mosulin dhe përfundimisht për Rakan, “kryeqytetin” e IS-it në Siri, mund të zgjasin shumë më tepër.

Në pjesët tjera të Sirisë, ka pasur ngecje për koalicionin kundër IS-it.

Forcat e IS-it së fundi kanë nisur ofensiva kundër Forcave Mbrojtëse siriane (SDF), një grup kryesisht kurd që luan rol të rëndësishëm në përpjekjet amerikane për të mundur terroristët.

Këto përpjekje mund të jenë mposhtur. Koloneli i ushtrisë amerikane, Christopher Garver është shprehur optimist në vlerësimin e tij të 6 korrikut duke thënë se SDF është duke i rezistuar sulmeve të IS-it në Manbij ndërsa edhe forca të tjera opozitare janë duke shënuar përparime në pjesën perëndimore.

SDF tani pretendon se IS-i është duke e braktisur Manbijn, ndonëse në afërsi të Mara, forcat e përkrahura nga perëndimi janë duke iu kthyer sulmin grupit Shteti Islamik e cila gjatë pranverës e kishte nisur një ofensivë.

Kjo do të thotë se forcat e përkrahura nga perëndimi ende nuk po avansojnë me thellë në zemër të territoreve të IS-it.

Edhe më keq akoma, një tjetër pjesë kyqe e strategjisë së SHBA-ve për të mundur IS-in në Siri ka përjetuar një humbje të madhe.

Javën e fundit të qershorit, ne kemi raportuar për sulmet ajrore të Rusisë kundër Ushtrisë së Re Siriane (NSA), një grup që po e lufton IS-in dhe që e ka përkrahjen e ShBA-ve dhe Britanisë.

E përbërë kryesisht nga pjesëtarë të forcave speciale siriane që kanë dezertuar nga regjimi i Assadit, NSA është e rëndësishme në disa nivele. Fillimisht, NSA përbëhet nga luftetarë kryesisht sunnit, diçka që e ka simbolikën e rëndësishme të balansimit me forcat tjera që përkrahen nga amerikanët dhe që kryesisht janë kurdë apo shiit.

Gjithashtu, pozicioni i NSA-së në pjesën jugore të një territori të kontrolluar nga IS e hap një front të ri kundër grupit terrorist. Një javë pas sulmeve ajrore të Rusisë, NSA e ka nisur një ofensivë të re kundër IS-it në al-Bukamal, që gjendet në pjesën që i lidh territoret e IS-it në mes të Sirisë dhe Irakut.

Megjithë suksesin fillestar, NSA është dashur të tërhiqet mbi 240 kilometra përtej shkretëtirës së hapur.

Është e paqartë nëse ishin sulmet ajrore ruse ato që e dobësuan grupin, por në kohën e ofensivës SHBA-të kanë vendosur të kryejnë sulme ajrore në një zonë tjetër, duke pasur cak IS-in në Falluxha.

Më 7 korrik, Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka thënë se SHBA-të e kanë “humbur një mundësi të mirë për të ofruar ndihmë nga ajri për ofensivën e NSA-së”.

Megjithatë, edhe në fitore ushtarake ka ngecje nganjëherë.

Shteti Islamik do të mundet ushtarakisht. Kjo thjeshtë duhet të ndodhë. Bota nuk ka ndonjë mundësi tjetër.

Edhe pse progres po arrihet, hapi i ngadalshëm i fitores dhe shqetësimet për rritje të tensioneve sektare rajonale janë shenja që tregojnë se shumë punë mbetët për tu bërë.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG