Ndërlidhjet

Debat publik për Demarkacionin për një vendim legjitim


Debati për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin Zi, i cili është iniciuar nga disa deputetë dhe për të cilin është pajtuar kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare, e hapë mundësinë e ballafaqimit të argumenteve që janë për dhe kundër raportit të Komisionit shtetëror që çoi deri te marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi për Demarkacionin, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Tash e 11 muaj, partitë opozitare në vazhdimësi kanë kundërshtuar marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, duke thënë se Kosova me këtë marrëveshje po humbë territor. Metodat e kundërshtimit, të përdorura nga opozita, kanë sjellë shtyrjen e seancave të Kuvendit të Kosovës.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se debati, të cilin do ta organizojë Kuvendi i Kosovës, jo në një seancë të rregullt plenare, por në një tryezë të rrumbullakët, do t’i kontribuojë një klime më të mirë të punës në mes partive politike dhe deputetëve, që në momentet e caktuara të marrin vendimet e duhura.

“Unë mendoj që, ndonëse është dashur të ndodhë më herët, është një fillim i mirë dhe nismë e mirë, e cila duhet të shteret deri në fund dhe të mos ndodhë vetëm një debat, por shumë debate dhe me shuam formate, në mënyrë që të gjithë t’i kenë informatat e duhura dhe argumentet e duhura. Do të thotë, argumentet e njërës dhe palës tjetër. Kjo çështje ka shkaktuar ndasi të mëdha në shoqërinë kosovare, në mesin e qytetarëve. Duhet shumë punë për t’i bindur qytetarët, qoftë për këtë marrëveshje apo për një marrëveshje tjetër, që është e drejtë”.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi i është dhënë jashtëzakonisht shumë ngjyrim politik, ndërkohë që pushteti dhe opozita nuk kanë gjetur kurajën që të ulen ta diskutojnë këtë temë përmes argumenteve. Ai thekson se shterimi i debatit dhe argumenteve profesionale, do të duhej të sjellë një përgjigje të politikës, të bazuar mbi argumentet profesionale.

“Unë pres që të ketë një debat me argumente profesionale për dhe kundër. Më pas, çfarëdo vendimi politik që do t’i jepej asaj situate, do ta kishte një legjitimitet më të madh popullor. Politika na ka krijuar një ambient të mjegullt mbi këtë temë. Njëra palë thotë ‘8 mijë hektarë humben’, pala tjetër thotë ‘asnjë milimetër’. Nuk kemi dallime mbi detaje, por kemi dallime kruciale. Neve na duhet një shoshitje ose trajtim të secilit argument profesional. Por, kjo duhet të bëhet në publik, që ne më pas, si qytetarë, t’i japim legjitimitetin, e çfarëdo vendimi të nesërm që mund ta merr Kuvendi i Kosovës”.

Shterja e këtij debati, sipas Rashitit është çështje javësh, ndërkaq mundësitë janë që ky debat të shkoj drejt një zgjidhje pozitive.

“Është çështje javësh. Çdo ditë duhet të ketë debat për këtë çështje, besoj. E para, ka vendim dhe vullnet nga të gjitha palët për të debatuar në formatet e duhura, sepse ka pasur një mospajtim se si duhet të debatohet. Tani ka pajtim për këtë. Kështu që kjo do t’i kontribuojë shumë qetësimit dhe rritjes së vullnetit për të debatuar dhe biseduar për këtë çështje”.

Selmanaj, thotë se është e natyrshme që qytetarët e Kosovës të presin që debati ta sjellë një rezultat që e mbyllë çështjen e demarkacionit me malin e Zi, për faktin se, sipas tij, kjo çështje po i mban peng mjaft çështje tjera.

“Është e rëndësishme që kjo temë të mos i mbajë peng edhe më tutje proceset tjera politike në Kosovë dhe jo vetëm ato politike, por edhe socio-ekonomike, të cilat janë, të themi, edhe më të rëndësishme në kontekstin e mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik e kështu me radhë”, tha Selmanaj.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që debati profesional për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të zhvillohet në formën e një tryeze, më 3 gusht në sallën alternative.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG