Ndërlidhjet

Për 4 muaj , 21 të kafshuar nga gjarpri, e mijëra të pickuar nga rriqrat


QKUK
QKUK

Gjatë këtij viti në Kosovë nga kafshimi i gjarpërinjve, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 21 persona.

Trembëdhjetë prej tyre kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në gjendje të rëndë shëndetësore, ka thënë drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani.

“Në Klinikën Infektive, nga muaji mars, kur ka qenë rasti i parë i kafshimit nga gjarpri, deri më sot kanë qenë të shtrirë 13 pacientë që janë trajtuar në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë. Është dhënë terapi specifike dhe është bërë një ekip mjekësor, bashkë me mjekët e Kirurgjisë vaskulare dhe plastike. Pas disa ditësh kanë shkuar në shtëpi të shëruar”.

Tetë të tjerë janë trajtuar me terapi ambulatore e me terapi specifike. Pra, 21 persona kanë qenë të trajtuar gjithsej nga kafshimi i gjarpërinjve. Aktualisht, nuk kemi pacientë që po kërkojnë ndihmë, ndonëse ne kemi terapi specifike”, ka bërë të ditur Ramadani.

Ndërkaq, në po të njëjtën klinikë edhe nga pickimi i rriqrave ndihmë mjekësore kanë kërkuar 15 pacientë, si raste të referuara nga e gjithë Kosova të dyshuar për ethe hemorragjike.

“Në këtë klinikë kemi edhe raste të pickimit të rriqrave, e që nga muaji qershor të shtrirë si raste të dyshimta me ethe hemorragjike kanë qenë 15 pacientë. Mirëpo, vetëm 2 raste kanë rezultuar me ethe hemorragjike, një nga Drenasi dhe një nga Gjakova. Gjendja shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë”, ka shpjeguar ai.

Ndryshe, vetëm në Komunën e Malishevës, e që është një nga zonat më endemike me rriqra, gjatë këtij viti janë pickuar 1,030 qytetarë.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, ka treguar për rritjen e numrit të qytetarëve të pickuar nga rriqrat, por gjithashtu ka theksuar faktin se asnjë rast nuk ka rezultuar me ethe hemorragjike.

“Numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore nga pickimi i rriqrave është 1,030. Ky numër është vetëm për Komunën e Malishevës. Ka raste sporadike që vijnë edhe nga vendet e tjera të Kosovës, por kryesisht nga Malisheva. Asnjë rast nuk është infektuar me ethe hemorragjike".

"Ajo që ka ndikuar në përmirësimin e situatës është masa parandaluese, spërkatja selektive, repelimi i kafshëve nëpërmjet Agjencisë së Veterinës të Kosovës, edukimi shëndetësor, ligjëratat në shkollat fillore e të mesme, etj. Këto kanë ndikuar në përmirësim të situatës krahasuar me vitet paraprake”, është shprehur Zogaj.

Problemi mjedisor, me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, është bërë një problem kronik.

Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vjetqë po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Si rezultat, në vitin 2014, 2015, si dhe këtë vit, nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike,krime kongo

Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 të tjerë.

Ndërkaq, problemi me kafshimin e gjarpërinjve ka qenë prezent edhe vitin e kaluar. 14 persona patën kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive, ku sipas zyrtarëve shëndetësorë, gjendja e tyre ka qenë mjaft e rëndë, por ka kaluar pa pasoja fatale.

Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje që njihet si mjaft serioze. Sipas studimeve botërore, rreth 2 për qind e të sëmurëve mund të përfundojnë me fatalitet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG