Ndërlidhjet

Pneumonia e Clintonit ngre shqetësime për Demokratët


Sëmundja e pneumonisë e demokrates Hillary Clinton, e mbajtur sekret derisa gati ka kolapsuar të dielën, ka rritur pasiguritë për shëndetin e saj në javët e fundit të fushatës presidenciale në SHBA.

Fushata e Clintonit është detyruar të pranojë të dielën se ajo është diagnostikuar me pneumoni më 9 shtator.

Zbulimi është bërë pasi Clinton ka humbur balancën dhe është larguar nga shërbimi përkujtimor për sulmet e 11 shtatorit, në Nju Jork.

Clinton është parë duke u futur në një furgon nga ndihmësit e saj.

Mjekja e Clintonit, Lisa Bardak, ka lëshuar më pas një deklaratë, duke thënë se kandidatja është diagnistikuar me pneumoni.

Ajo po ashtu ka thënë se Clinton vuan nga një kollitje, si pasojë e alergjisë.

Në shërbimin përkujtimor për 11 shtatorin, Clinton është dehidruar, ka thënë mjekja. Po sipas saj, Clintonit i janë përshkruar antibiotikë dhe i është rekomanduar pushim.

Fushata e Clintonit ka thënë se kandidatja ka anuluar një udhëtim të planifikuar në Kaliforni, i cili do të zhvillohej më 12 dhe 13 shtator dhe do të përfshinte një fjalim për ekonominë.

Problemi me shëndetin është një goditje tjetër mbi Clintonin, në kohën kur rivali i saj republikan, Donald Trump, prin në shumicën e sondazheve kombëtare për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndihmësit e Trumpit nuk kanë zbuluar nëse ai do ta shfrytëzojë incidentin shëndetësor të Clintonit për përfitimet e tij.

Në të kaluarën, fushata e tij ka përmendur një alivanosje të Clintonit në dhjetor të vitit 2012 dhe kanë thënë se ajo nuk është fizikisht e përshtatshme për Shtëpinë e Bardhë.

Vetë Clinton ka thënë se thashethemet për shëndetin e saj janë produkt i teorive të pabaza konspirative.

Clinton është 68 vjeçe, ndërsa Trump 70. Për këtë të fundit nuk është e qartë nëse ka ndonjë shqetësim shëndetësor. Ai pritet të diskutojë për këtë çështje në një intervistë të enjten me mjekun e njohur Mehmet Oz.

Clintonit ka gjasë t’i bëhet presion përse nuk e ka bërë publike diagnozën e pneumonisë, në ditën që është njoftuar.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Hillary Clinton të jetë transparente për atë që po ndodh”, tha historiani amerikan, Douglas Brinley. “Nëse e ka marrë raportin për pneumoninë të premten, do të duhej t’ia tregonte publikut në kohë reale. Është rrezik për kandidatët nëse ata fshehin historinë e tyre shëndetësore”, shtoi Brinley.

Trump po ashtu ka marrë pjesë në shërbimet për 11 shtatorin në Nju Jork.

Në total, 2,996 veta kanë vdekur më 11 shtator, 2001, kur militantë të Al Kaidës kanë marrë peng katër aeroplanë, duke i përplasur dy prej tyre për Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, të tretin në Pentagon dhe të katërtin në një fushë në Pensilvani.

Më 26 shtator, Clinton dhe Trump do të mbajnë debatin e parë zgjedhor, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 8 nëntor.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG