Ndërlidhjet

Punëtorët serbë të Trepçës në protesta – Qeveria e Kosovës: ‘protestat të panevojshme’


Protesta në pjesën veriore të Mitrovicës
Protesta në pjesën veriore të Mitrovicës

Punëtorët e Trepçës, në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë bllokuar për një orë rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë dhe përreth hapësirës së flotacionit të Trepçës në Leposaviq, duke shprehur ‘pakënaqësinë me vendimin që Ligji për Trepçën të futet për miratim në Kuvendin e Kosovës” .

Disa qindra punëtorë kanë bartur flamujt e Serbisë dhe të kombinatit Trepça, si dhe pankartat me mbishkrimet “Ligji nuk kalon” dhe “Trepça punon, populli jeton”.

Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend një ligj të veçantë për kompleksin e minierave Trepça, me qëllim të revitalizimit dhe rikthimit në treg. Projektligji pritet që të miratohet të premten, përkundër paralajmërimeve të deputetëve serbë që ta kundërshtojnë atë.

Dragisha Milojkoviq, punëtor në Metalurgjinë e çelikut, në emër të Sindikatës tha se “me ligj po kërkohet që të përvetësohet’, siç tha, “pasuria e shtetit të Serbisë”.

“Në këtë mënyrë po vendoset një dhunë ligjore që ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë dhe në punën e punëtorëve të Trepçës, që mund të ketë për pasojë rrezikimin e ekzistencës së popullit tonë. Nuk do t’i lejojmë “organet krahinore”, që me vendimet e tyre të pamundësojnë procesin e prodhimit dhe të drejtën tonë në punë dhe ekzistencë”, tha Dragisha Milojkoviq.

Ndërkohë, drejtori i sektorit të energjetikës në Trepçë, Dragoslav Milosheviq, tha se me paralajmërimin e futjes në rend të ditës në Kuvendin e Kosovës të ligjit për Trepçën “është shkaktuar shqetësim dhe frikë në mesin e 3 mijë të punësuarve në Trepçë në pjesën veriore të Kosovës”

“Duke dashur që të jemi konstruktiv dhe real, duke mos dashur që si menaxhment dhe sindikatë të pretendojmë se po zgjidhim çështjen e statusit ligjor, propozojmë që çështja e Trepçës dhe i të gjitha ndërmarrjeve tjera shoqërore të futet në kuadër të çështjeve pronësore dhe me urgjencë të jetë pikë e rendit të ditës në Bruksel, dhe që në bisedime të gjendet një zgjidhje e pranueshme për palët relevante”, tha Dragoslav Milosheviq.

Protesta e punëtorëve të Trepçës në veri përfundoi e qetë, me paralajmërimin e vazhdimit edhe në ditët e ardhshme, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se protesta e minatorëve serbë në veri të Kosovës kundër projekt-ligjit për "Trepçën" është e pa nevojshme.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, tha se ligji në tërësi është në të mirën e punëtorëve të 'Trepçës' dhe të shtetit.

"Ne konsiderojmë se nuk ka kurrfarë nevoje për çfarëdo proteste ndaj këtij projekt-ligji. Përkundrazi, mendojmë se ky projektligj, i cili ka kaluar nga Qeveria dhe do të procedohet tutje në Kuvend, është në çdo aspekt për kompaninë 'Trepça', i dobishëm për të gjithë", tha Abdullahu.

Ai tha po ashtu se ekspertët profesionistë kanë analizuar në mënyra të ndryshme shumë faktorë që kanë ndikuar në gjendjen në të cilën ka qenë Trepça deri me tani.

"Prandaj kjo çka ka bërë qeveria është në të mirë të gjithëve, sidomos punëtorëve, pa përjashtim, që do të thotë se është në të mirën e punëtorëve të komuniteti serb. Ne konsiderojmë se ky ligj për Trepçën duhet të vlerësohet me logjikën e prosperiteti social e jo të ngutësisë averzive ndaj institucioneve tona", është shprehur Abdullahu. (REL)

XS
SM
MD
LG