Ndërlidhjet

Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për një klimë politike pozitive


Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s
Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Në Prishtinë, të shtunën kanë nisur punimet treditore të Seminarit të 93-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin po marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në seminar po diskutohet për të ardhmen e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.

Në hapje të këtij seminari, nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Ali, ka thënë se seminaret sikurse ky që po mbahet në Prishtinë, janë instrumente të rëndësishme për të ndihmuar partnerët e NATO-s në tranzicionin demokratik, në procesin e reformave dhe në aspiratat euroatlantike. Ai e ka quajtur këtë seminar historik për Kosovën, për faktin se është i pari i këtij lloji që po mbahet në Prishtinë.

Zoti Ali ka theksuar se beson që e ardhmja e rajonit është pjesë e integrimi euroatlantik dhe se është i inkurajuar me zhvillimet pozitive të shumta në Prishtinë, si dhe me dialogun e saj me Beogradin.

“Unë sinqerisht shpresoj që ky seminar do ta luaj rolin e tij në ndërtimin dhe fuqizimin e arritjeve pozitive për të krijuar një klimë politike pozitive”, ka thënë zoti Ali.

Ai ka shtuar se Asambleja Parlamentare të NATO-s ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një vend për dialog të sinqertë dhe të hapur për sfida.

Ballkani perëndimor, siç ka thënë ai, është një rajon me shumë sfida, prej të cilave ka sfida që mbeten. Ai theksoi se pret që të vazhdojë dialogu në seminar, për çështje të ndryshme, përfshirë edhe ato të sigurisë dhe terrorizmit.

Ai ka thënë se është për keqardhje mospjesëmarrja në seminar e delegacionit nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se siguria rajonale sot nuk kërcënohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës apo nga stagnimi ekonomik, por edhe nga kërcënimet globale, sikurse është terrorizmi ndërkombëtar.

Siç ka thënë ai, Kosova qëndron fuqishëm në krahun e koalicionit ndërkombëtarë kundër terrorizmit dhe ka ndërmarrë masa të rëndësishme, përfshirë edhe ato legjislative në fushën e luftimit të terrorizmit.

“Kosova as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë, asnjëherë, burim i rekrutimit për terroristët. Ne trashëgojmë një kulturë të fuqishme të tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore. Religjionet për ne janë burim solidariteti dhe humanizmi dhe asnjëherë instrumente të dhunës apo nxitjes të urrejtjes. Do të vazhdojmë të jemi edhe më të vendosur në promovimin e vlerave tona dhe luftimin e tendencave të kundërta me to. Por, lufta kundër terrorizmit nuk kërkon vetëm efikasitet të institucioneve të sigurisë. Ajo është edhe një luftë vlerash”.

Veseli ka shtuar se Kosova është duke punuar me vendosmëri për ngritjen e të gjitha kapaciteteve dhe për arritjen e standardeve më bashkëkohore në fushën e sigurisë. Sipas tij, Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë për sfidat globale të sigurisë dhe se, siç ka thënë ai, vendimi që pritet të merret në Kuvendin e Republikës së Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, do të jetë një shtytje pozitive në këtë drejtim.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se sundimi i ligjit është thelbi i procesit integrues, ashtu sikurse edhe i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, marrëveshje e cila është arritur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Por, siç ka thënë Apostolova, sundimi i ligjit paraqet një prej sfidave më të mëdha për Kosovën.

“Bashkimi Evropian mbetet fuqishëm i përkushtuar që ta shtyjë përpara reformat e Kosovës dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë politike dhe financiare për Kosovën, për forcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, për ndërtimin e një administrate publike transparente, për mbështetjen e zhvillimit të saj ekonomik, si dhe të qenit konkurruese”, ka thënë Apostolova.

Ajo ka shtuar se Kosova ka përmbushur 93 nga 95 standardet e Bashkimit Evropian dhe kjo ka bërë që Komisioni Evropian të propozojë zyrtarisht, me 4 maj 2016, që të merret një vendim i Këshillit si dhe Parlamentit Evropian që Kosova të hyjë në listën e regjimit pa viza të Schengenit.

Kjo, sipas saj, është bërë në mënyrë që deri në ditën e miratimit të këtij propozimi, Kosova do t’i ketë përmbushur dy kushtet e mbetura, ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe forcimin e luftës së saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Apostolova ka theksuar se Kosova duhet ta ndihmojë vetveten duke pasur rrëfime pozitive, të cilat do t’i kontribuojnë ndryshimit të imazhit të saj jashtë.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, përfaqësuesit e subjekteve parlamentare të Kosovës, si dhe të shoqërisë civile, do t’i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.

Ky seminar është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Xhavit Haliti, dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG