Ndërlidhjet

Vetëm 3.8 për qind e femrave në Kosovë, trashëguese të pronave familjare 


Ilustrim
Ilustrim

Shifrat aktuale tregojnë se vetëm 3.8 për qind e femrave në Kosovë janë trashëgimtare të pronave, derisa 16 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të femrave.

Gjendja e trashëgimisë, prezantohet në këto shifra, pavarësisht faktit që statistikat zyrtare tregojnë se rreth gjysma e popullatës së Kosovës, përbëhet nga gjinia femërore.

Në një hulumtim për të drejtat pronësore të realizuar nga Programi për Zhvillim i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – USAID, thuhet se në teori nuk ekzistojnë pengesa ligjore që ndalojnë përdorimin e shërbimeve të administrimit të tokës.

Megjithatë, normat kulturore dhe traditat gëzojnë fuqi mbi ligjet, andaj në këtë mënyrë, femrat nuk mund të jenë pronare të ndonjë prone të paluajtshme, as si vajza, por edhe në martesë.

Vjosa Shkodra, e cila punon në programin për të drejtat pronësore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë që femra të mos trashëgojë pasurinë e familjes.

“Legjislacioni në fuqi i trajton barabartë edhe gruan edhe burrin dhe ne po mundohemi t’i sforcojmë mekanizmat përmes legjislacionit dhe politikave që të zbatohet ligji drejtë. Prej krejt kësaj del se vlera patriarkale dhe trashëgimia në vijën mashkullore triumfon”, tha Shkodra.

Një problem tjetër që haset në praktikë, vijon Shkodra, është fshehja e trashëgimtareve me rastin e vdekjeve.

“Ky është një akt deklarativ, ku vetë personi ka iniciuar rastin e trashëgimisë dhe vet fakti që është akt deklarativ ka mundësi të mos e lajmërojë trashëgimtarin”, thotë ajo.

Gjithashtu edhe heqja dorë nga trashëgimia, si fenomen, sipas saj, ka të bëjë me kulturën që e imponon në një mënyrë që femrat të heqin dorë nga trashëgimia.

Kjo çështje në Kosovë është e rregulluar me Ligjin Kundër Diskriminimit.

Pra, trashëgimtarët femra dhe meshkuj, mund të disponojnë pjesën e tyre trashëgimore dhe ta tjetërsojnë pas regjistrimit si pasuri e tyre trashëgimore.

Kur vjen në shprehje trashëgimia dhe ndarja e pronës, sipas praktikës, femrat në Kosovë ose lihen jashtë kësaj ndarje nga kryefamiljarët ose heqin dorë vet nga kjo e drejtë ligjore që u takon.

Njëra nga ato që vlerëson se trashëgimia në rend të parë u takon meshkujve është Valbona Hysaj, e cila mendon se asaj nuk i takon e drejta e trashëgimisë familjare, ndonëse beson që babai i saj nuk do ta diskriminonte nga kjo e drejtë.

“Më shumë i takon mashkullit, femrës mendoj se nuk i takon. Unë e di që familja ime do të mund të më ndante pasurinë edhe mua, por mendoj se mua nuk më takon. Ky është mendim i imi. Mendoj se meshkujve u takon”, thotë Hysaj.

Në anën tjetër, Gent Salihu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajdredin Kuçi, në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjendja reale në Kosovë nuk pasqyrohet në librat kadastral.

Sipas tij, procedurat janë të komplikuara për t'i regjistruar të drejtat e tyre pronësore, por edhe mos iniciativa aktive e qytetarëve për t'i formalizuar të drejtat e tyre.

"Qeveria e Kosovës ka inicuar hartimin e strategjisë sektoriale të parë për të drejtat pronësore, dhe përmes kësaj strategjie qëllimi është që legjislacioni që garanton të drejtat pronësore të qartësohet edhe më tutje".

"Gjithashtu, të adresohet shkalla e gjerë e informalitetit në sektorin e pronave, ku këtu hyn edhe zbatimi jo konsistent i të drejtave pronësore, si dhe mbrojtja e të drejtave pronësore dhe garantimit të grupeve të caktuara të shoqërisë, duke përfshirë gratë dhe komunitetet jo shumicë", theksoi Salihu.

Sidoqoftë, përfaqësues të shoqërisë civile kanë konsideruar se në shumicën e rasteve prona e paluajtshme regjistrohet në emër të gjinisë femërore, vetëm për interesa të ngushta familjare. (REL)

XS
SM
MD
LG